2016-03-23 13:00:00

Bruksel: është kapur edhe terroristi i tretë


Belgjika qan të vdekurit e vet në tri ditë zie, pas atentateve të djeshme në aeroportin dhe në metropolitanën e Brukselit, që shkaktuan 31 viktima e mëse 260 të plagosur. Numri i të vdekurve, siç u shpjegua nga autoritetet belge, mund të rritet, pasi disa nga viktimat e metrosë nuk mund të identifikohen.

Ndërkaq, forcat e policisë kapën pranë Anderlehtit, personin e tretë të grupit të kamikazeve. Personi i arrestuar është 25-vjeçari, Najim Laachraoui, i cili është parë të shtyjë bagazhin pranë atentatorëve e pastaj, të vrapojë jashtë aeroportit. Ai kërkohet nga policia edhe për atentatet e Parisit, pasi ADN-ja e tij është gjetur në gati të gjitha rripat eksplozive të përdorura në atë rast, por edhe në vendin ku fshihej Salah Abdeslam, që u arrestua kësaj jave në Belgjikë.

         Dy të tjerët, të cilët u hodhën në erë, njëri në aeroportin e Zaventemit dhe tjetri në metropolitanë, janë dy vëllezër, Ibrahim dhe Khalid El Bakraoui. Dy terroristët mendohet se shpëtuan para një jave, gjatë një kontrolli të policisë në një apartament në Forest, lagjja shumetnike në perëndim të Brukselit. Khalid, me një emër të rremë, kishte marrë me qera këtë shtëpi dhe një tjetër në Charleroi, ku janë përgatitur atentatet e Parisit. Në tetor 2012, Ibrahimi është dënuar me 9 vjet burg, sepse qëlloi me kallashnikov disa policë në Bruksel dhe në qytetin pranë tij, Laeken, gjatë një vjedhjeje. Natyrisht, doli më parë, për shkak të lehtësirave ligjore, që parashikon demokracia. Në shkurt të vitit 2011, edhe i vëllai, Khalid, u dënua me pesë vjet burg për një sërë vjedhjesh me armë, por edhe ai, me të mbaruar dënimin, u kthye në gjirin e terrorizmit.

         Rreth 300 belgë mendohet të luftojnë me islamikët në Siri, duke e bërë kështu, vendin me 11 milion banorë, eksportuesin më të madh evropian të luftëtarëve të huaj për Isis-in.








All the contents on this site are copyrighted ©.