2016-03-22 14:24:00

Nunci apostolik në Bruksel: dhimbje e madhe, gjest që s’kuptohet


“Aeroporti i Zaventemit është vend ku ka gjithnjë shumë njerëz e në atë orë niseshin gjithë ata persona. U zgjodh një çast tragjik, për të pasur sa më shumë viktima. Ndjenja e parë është dhimbja e madhe”. Kështu tha nunci apostolik në Bruksel, imzot Giacinto Berloco, në një intervistë për televizionin katolik italian Tv2000, duke komentuar ngjarjet e sotme në kryeqytetin e Belgjikës.

“Nuk kam folur personalisht me Papën – shtoi ai – por kam njoftuar menjëherë Vatikanin për atentatet, në mënyrë që ta dinin si Sekretaria e Shtetit, ashtu edhe Ati i Shenjtë”.

“Është e vështirë të hyjmë në mendjen e këtyre njerëzve – nënvizoi nunci. Shpesh janë njerëz, që e ndjejnë veten të mënjanuar, ose kanë një ide të bashkëjetesës shumë të ndryshme nga ajo që kemi ne. Janë njerëz, që duan t’ia imponojnë idetë e tyre, mënyrën e tyre të të jetuarit, një shoqërie që ka vlera të tjera, si bashkëjetesa paqësore, respekti dhe vëllazërimi. Këta kanë ide shumë larg nga vlerat, që i kemi prej kohësh e që përbëjnë indin e jetës shoqërore. Të lutemi shumë në këtë Javë Shenjte që Zoti t’ua ndryshojë zemrat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.