2016-03-22 13:33:00

Isis merr përsipër atentatet e Brukselit: 34 viktima e 135 të plagosur


Atentate terroriste, të cilat u morën përsipër nga Shteti Islamik (Isis), mbollën frikë sot në mëngjes në qytetin e Brukselit. U goditën aeroporti dhe metropolitana, me një bilanc të përkohshëm prej së paku 34 viktimash dhe mëse 135 të plagosurish. Qyteti paralizohet e ushtria mbush rrugët. Isis, përmes një deklarate në platformën internet Telegram, kërcënon se do të bëjë atentate të tjera në Evropë. Siç njofton gazeta egjiptiane “Al Watan”, terroristët thonë se atentatet janë organizuar në kohë të shkurtër, pa dhënë hollësi të tjera. Alarmi jepet kështu, në të gjithë Evropën, e cila blindon vendet publike e mbyll kufijtë. “Na duhet qetësi dhe bashkim” pohoi kryeministri belg. “Është ditë e trishtuar për gjithë Bashkimin Evropian”, komentoi Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme evropiane.

Faktet

Mëngjes terrori në kryeqytetin belg, që solli ndërmend sulmet e njëkohshme në Paris, më 13 nëntor e ato të Mumbayt, në vitin 2008. Taktika e shumë atentateve krijon konfuzion dhe e shndërron qytetin në fushë beteje. Shërbimi sekret i sigurimit belg e dinte që dje se ekzistonte një rrezik i menjëhershëm, por nuk kishte arritur të zbulonte ku do të materializohej. Sot në mëngjes, ëndrra e tmerrshme u bë realitet.

Gjithçka filloi rreth orës 8.00, kur së paku një kamikaze hyri në veprim në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit “Zaventem”, me dy shpërthime në sallën e nisjeve, pikërisht pranë sportelit të American Airlines. Më pas, në orën 9.11, së paku 4 shpërthime u dëgjuan në metropolitanë, në stacionet Maelbeek dhe Schuman, por ndoshta edhe Arts Loi, dy hapa larg ndërtesave të institucioneve evropiane. Nuk dihet sa terroristë janë përfshirë në këto atentate, prandaj autoritetet e këshillojnë popullsinë të mbyllet në shtëpi. Paniku qe i përgjithshëm, ushtria mbushi rrugët e transportet drejt e nga Brukseli u bllokuan plotësisht. U mbyllën edhe shkollat, muzetë dhe pallati mbretëror, pas një pakoje të dyshimtë.

Alarm në Evropë

Alarmi u dha në të gjithë Evropën. Franca, Britania e Madhe dhe Italia mblodhën Këshillat e tyre të Sigurisë. Për kryeministrin francez Valls, jemi në luftë: Parisi mbylli metropolitanën dhe ministri i brendshëm konfirmoi se ka vendosur kudo 1600 policë për kontroll. Ai vuri në dukje urgjencën për një plan evropian kundër terrorizmit e për një sistem të përforcuar kontrolli në kuadrin e vendeve të Traktatit Shengen. Edhe Holanda dhe Zvicra e kanë ngritur nivelin e alarmit.

Edhe Shqipëria dënon atentatet. Bruçaj mallkon terrorin

Nga e gjithë bota arrijnë dënime e komente. Moska flet për akt barbar e kërkon bashkëpunim ndërkombëtar kundër terrorizmit. Në të njëjtën linjë presidenti italian, Mattarella. Kreu i Kuvendit shqiptar, Ilir Meta, i quan atentatet “sulm ndaj gjithë Evropës dhe njerëzimit”. Edhe kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Skënder Bruçaj dënoi aktet. “Mallkuar qoftë terrori dhe gjithë aktet terroriste  - nënvizoi ai - dhe të gjithë ata njerëz që luftojnë në emër të terrorit. Terrori nuk ka fe, nuk ka lidhje me fenë sidomos me fenë islame”- deklaroi Bruçaj.








All the contents on this site are copyrighted ©.