2016-03-21 17:00:00

Pakistan: Pashkët do të jenë pushim për të krishterët


Asambleja Kombëtare Pakistaneze miratoi një rezolutë, që u lejon të krishterëve të festojnë Pashkët, duke mos shkuar në punë. E njëjta mundësi u jepet edhe hinduistëve për festat e tyre Holi e Diwali. Rezoluta, njofton agjencia AsiaNews, u miratua me nismën e një anëtari hinduist të parlamentit. Njëkohësisht me vlerësimin për këtë hap të ri në favor të të drejtave të pakicave, pati nga ata, që nënvizuan se nuk mjafton njohja e festave, por duhen siguruar të drejta të barabarta dhe mbrojtje për këto grupe.

Vendim historik për njohjen e pakicave

         Aktivistë të shumtë për të drejtat e pakicave pranojnë se ky është një vendim historik i parlamentit pakistanez, por duhet bërë më shumë. Për shembull, që në kohën e martirit Shahbaz Bhatti (ministri katolik për pakicat, vrarë për shkak të fesë), është kërkuar që fjala “Essai” me të cilën quhen të krishterët edhe në dokumentet qeveritare, të zëvendësohet me fjalën më të përshtatshme “Masihi”. Gjithashtu, të krishterët kërkojnë garantimin e së drejtës për arsimim, lirinë e ushtrimit të fesë, rezervimin e kuotave për pakicat në postet shtetërore dhe eliminimin e paragjykimeve ndaj pakicave nga librat shkollorë. Edhe shumica myslimane, nga ana e saj, dëshiron t’i jepet mundësia të festojë së bashku me pakicat, në ditët e festave të tyre, sepse kjo do ta bashkonte më shumë kombin. Tani për tani, festat e pakicave nuk janë kombëtare, prandaj, myslimanët janë të detyruar të shkojnë në punë.








All the contents on this site are copyrighted ©.