2016-03-21 14:34:00

Kardinali Parolin takon Patrikun ortodoks bullgar Neofit


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin arriti dje në Bullgari, ku vijoi edhe sot vizitën zyrtare. E sot, dita e dytë e shtegtimit, ishte e ngarkuar me një mori takimesh. Prelati i lartë u takua, së pari, me  Patrikun e  Kishës ortodokse bullgare Neofit, e pastaj, me presidentin dhe kryeministrin bullgar si dhe me myftinë e madh.

Në fillim të bisedës, kardinali Parolin i përcolli Patrikut Neofit përshëndetjet e përzemërta të Papës Françesku, që e vlerësoi lart këtë takim. Patriku ortodoks bullgar i bëri kardinalit Parolin po atë pritje të përzemërt, që u bëhet përfaqësuesve ortodoksë në Vatikan dhe ia ktheu përzemërsisht përshëndetjen Papës. Gjatë bisedimeve, u kujtuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës ortodokse bullgare dhe Selisë së Shenjtë. Patriku nënvizoi rëndësinë e vizitës së përvitshme tradicionale të delegacionit bullgar në Romë, me rastin e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi, si dhe kontributin e tij të madh për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kishës ortodokse bullgare dhe Selisë së Shenjtë. Ndërsa kardinali Parolin foli edhe për mundësinë e krijimit të marrëdhënieve më të shpeshta  e më të afërta ndërmjet përfaqësuesve të bashkësisë katolike në Bullgari dhe priftërinjve ortodoksë në zona të ndryshme. Sipas kardinalit Parolin, ndër fushat më të mundshme të bashkëpunimit janë puna me të rinjtë dhe ndihma ndaj të varfërve. U kujtua edhe takimi i Papës Françesku me Patrikun rus Kirill. Më pas u fol për Koncilin panortodoks në Kretë, të cilin kardinali Parolin theksoi që do ta ndjekë me lutje. Patriku Neofit u përgjigj se suksesi i Koncilit do të ndikojë fuqimisht edhe për afrimin ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Pala ortodokse falënderoi për mundësinë që u është krijuar teologëve të rinj ortodoksë për të studiuar në Institutin Papnor Lindor dhe në qendra të tjera të kulturës katolike. Programi i kardinalit vijoi me disa takime: me presidentin dhe kryeministrin bullgar, me myftinë e madh, si dhe me veprimtari të tjera.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.