2016-03-21 18:51:00

Java e Madhe e Françeskut nën shenjën e mëshirës


Ditë  të pashembullta për dendësinë e takimeve dhe thellësinë shpirtërore. Kështu i jetojnë të krishterët ditët në prag të Pashkëve, kur viti liturgjik i fton ta ndjejnë thellësisht Javën e Madhe e, në veçanti, Treditshin e Solemnitetit. Periudhë, kjo e sivjetmja, nën shenjën e reflektimit të Papës për Jubileun e Mëshirës, të cilën Françesku do ta hapë me Meshën In Coena Domini, pasditen e së Enjtes së Madhe, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në vijim, po ju njohim me ngjarjet kryesore të këtyre ditëve, kremtuar nga Papa në Bazilikën e Vatikanit e në Koloseum.

Mëshira! Shpirti e korpi i Treditshit të ardhshëm të Pashkëve, do të orientohen plotësisht nga kjo vlerë, mbi të cilën Papa Françesku deshi ta bazojë Kishën universale për një vit të tërë. Që të Dielën e Larit u duk vula jubilare, që do të vulosë edhe Javën e Madhe - shpalosjen  e mundimeve, lartuar nga dashuria e pafundme e Krishtit, që fal gjithçka e gjithçka e mbulon me mëshirë edhe në çastin kur dhimbja e kalon çdo cak njerëzor, duke u bërë britmë lartuar tragjikisht kah Ati!

“Kam nevojë të lahem nga Zoti”

Java e Madhe, ka thënë Françesku, është rrëfim i një Zoti që, nga dashuria për njeriun, zgjedh rrugën e vetasgjësimit. E çasti kulmor, në të cilin të duket sikur zhveshja e Jezusit gati-gati shkrihet e bëhet një me atë të mëkëmbësit të tij mbi tokë, arrin kur, të Enjten e Madhe, Françesku - siç ka nisur të bëjë që në krye të papnisë së tij - përkulet për të larë e për të puthur këmbët e njerëzve, të cilët shoqëria s’i njeh më për njerëz. Në Castel Nuovo di Porto, afër Romës,  Papa do ta kremtojë Meshën in Coena Domini - Meshën e Darkës së Mbrame, më 24 mars, por duke menduar për Jubileun, nuk mund të mos kujtosh përvujtërinë e fjalëve, që shqiptoi vitin e kaluar, duke u folur të burgosurve të Rebbias, pak para se të gjunjëzohej para tyre për të pohuar:

“Po edhe unë kam nevojë të lahem nga Zoti e për këtë lutuni gjatë kësaj Meshe, që Zoti t’i lajë edhe ndyrësirat e mia  e unë të bëhem më skllav se ju, më skllav në shërbim të njerëzve, ashtu si ishte Jezusi”.

Duke kundruar orët e mbrame

Një skllavëri që, për shkak të indiferencës së autoriteteve - siç pohoi Françesku - bëhet shfaqje mizore mbi Golgotë. Shfaqje që nuk mbaron në një ditë, as në një mot. Përsëritet në skenën e botës në shekuj, e jo vetëm në një të premte, që njihet me emrin e Premtja e Madhe, e zezë… Mbarë bota katolike do t’i meditojë orët e kësaj së Premteje të Pashkëve, duke e shoqëruar kremtimin e Mundimeve të Zotit Jezu Krisht, që Papa Bergoglio do ta fillojë kremitmin e riteve liturgjike në orën 17.00, në  Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Për ta rijetuar, ndonjë orë më pas, natën e Udhës së Kryqit pranë amfiteatrit romak Koloseum. E edhe një Natë tjetër akoma, atë të së Shtunes së Madhe të Pashkëve, “Nënë e të gjitha netëve pa gjumë”, që me ritet e bekimit të ujit e të zjarrit, do të përshpejtojë jetën e re të Ringjalljes që buron nga Krishti Gjallë, me Papa Françeskun, që do të kryesojë kremtimin në Shën Pjetër në Vatikan, duke nisur nga ora 20.30. E, së fundi, e Diela e Pashkëe, 27 mars 2016, Pashkët e Ngjalljes, me Meshën e Ditës s Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në orën 10.00, pasuar, sipas traditës së  festave të mëdha të vitit, nga apostolik Bekimi Urbi et Orbi – Romës e Botës, i Papës Françesku, nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit.

Përgjigje jo e rëndomtë

Fillimi i Javës së Madhe të Pashkëve është pra, porta e hyrjes në një mister që, ndërmjet çenakullit e varrit, kërkon nga feja të jetë zjarr, e jo ujë kënete: “Ta marrim seriozisht fenë tonë të krishterë e të angazhohemi të jetojmë si besimtarë të vërtetë”, shkruan Françesku në një tweet. Psenë e shpjegoi vitin e kaluar, Natën e Pashkëve, duke theksuar se të hysh në mister, do të thotë të mos kesh frikë nga realiteti. Të mos ndryhesh në vetvete, të mos i mbyllësh sytë përballë problemeve, të mos i mohosh, të mos i shlyesh pikëpyetjet, që burojnë prej tyre:

“Të hysh në mister do të thotë të shkosh përtej sigurisë së rehatisë sate. Përtej përtacisë e indiferencës, që frenojnë, e të vihesh në kërkim të së vërtetës, të bukurisë së dashurisë, të kërkosh kuptimin, që nuk gjindet lehtë; përgjigjen, jo të rëndomtë, për pyetjet, që e vënë në krizë fenë tonë, besnikërinë tonë, arsyen tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.