2016-03-21 12:23:00

Imzot Viganò: ka të drejtë Papa, bëhen tepër thashetheme


Doli sot libri “Gumëzhitja e thashethemeve: Forma diskreditimi në shoqëri e në Kishë”, me autor prefektin e Sekretarisë vatikanase për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò. Kemi të bëjmë me një temë të trajtuar shpesh nga Papa Françesku në homelitë e tij në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Imzot Viganò, i cili para se të vinte në Vatikan, ka qenë pedagog në disa fakultete komunikimi shoqëror si edhe dekan në Universitetin Papnor Lateranens, e shqyrton çështjen me ironi e inteligjencë, pa harruar ta marrë shumë seriozisht problemin, që Papa e quan “terrorizëm thashethemesh”.

Vëllimi, i botuar nga “Lampi EDB”, e ndihmon lexuesin të kuptojë se si lindin, përhapen dhe si përfshijnë gjithnjë e më shumë njerëz, thashethemet dhe format që kanë të bëjnë me to, në një sistem shoqëror të caktuar. Vërtet, me zhvillimin e komunikimit, fillojnë praktika si “rumors” apo lajme, që qarkullojnë pa qenë as zyrtare, as të verifikuara. Këto praktika kthehen pastaj në thashetheme, shpifje e shpallje, përmes strategjive të komunikimit, që kërkojnë konsensusin, përfshirjen ose përjashtimin e grupeve shoqërore. Thashethemet nuk kursejnë askënd, as njerëzit e Kishës. Një ves njerëzor, që bëhet mjet shoqëror, me të cilin manipulohen favoret e pakënaqësia e njerëzve, mjet që pohon e mohon njëkohësisht, pa thënë kurrë të vërtetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.