2016-03-21 16:45:00

Imzot Bruguès në Turqi: diplomacia e librit hap zemrat


Një sukses i mirëfilltë: kështu imzot Jean-Louis Bruguès, arkivist e bibliotekar i Kishës Shenjte Romake, e quajti misionin e tij të fundit në Turqi, që kishte për qëllim ta bënte të njohur në thellësi punën e Bibliotekës Apostolike dhe të Arkivit Sekret të Vatikanit. Kjo etapë mund të konsiderohet një hap i ri në projektin lidhur me atë, që tashmë njihet si “diplomacia e kulturës dhe e librit”. E kjo diplomaci është vërtet në gjendje të ndërtojë ura dialogu në raste të ndërlikuara, atje ku diplomacia zyrtare e ka të vështirë. Të dëgjojmë Imzot Bruguès, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në bibliotekë ka një rregull praktik: ambasadori paraqitet tek Papa, pastaj tek kardinali Parolin, sekretar i Shtetit e, në vijim, në Bibliotekë: jemi niveli i tretë i vizitave diplomatike. Ambasadori i ri i Turqisë, kur u emërua, erdhi tek unë, më dhuroi libra për bibliotekën e më propozoi një udhëtim në Turqi. Qëllimi ishte ta bëja të njohur si Bibliotekën, ashtu edhe Arkivin Sekret. Duhet kujtuar se opinioni publik në Turqi ka mendim negativ si për Selinë e Shenjtë, ashtu edhe për Arkivin e saj, sepse është sekret; e prej këndej, mendohet se aty ruhen sekretet, të cilat Kisha nuk do që të njihen publikisht. U ftova në Stamboll, ku është një Universitet mrekullisht i këndshëm, universiteti i Arteve të Bukura. E më kërkuan të paraqes si Bibliotekën, ashtu edhe Arkivin, para një publiku  të përbërë nga 400 studentë. Vëmendja ishte vërtet e madhe! E çasti, jashtëzakonisht i këndshëm: duke pasë dhënë mësim për 25 vjet rresht, m’u duk sikur m’u kthye rishtas rinia para këtij publiku. E u thashë studentëve: “Biblioteka, ashtu si edhe Arkivi, janë të hapura për të gjithë studiuesit, edhe për studiuesit turq. Prandaj, nëse dëshironi, mund të punoni me ne”. Përgjigjja që mora ishte entuziaste. E pastaj edhe darkuam së bashku. Qëllimi i dytë ishte të shkoja në Smirne: kryeipeshkvi i ri i Smirnes, domenikan, që e kisha njohur vite më parë, më kërkoi të bëja një konferencë publike për të paraqitur një libër, shkruar para pak kohe. Titullohet “Biblioteka dhe Arkivi”. E pastaj kremtuam së bashku të Mërkurën e Përhime në katedrale, që tani, për fat të keq, vizitohet rrallë. Bashkësia levantine, domethënë ajo e italianëve të ngulur prej shekujsh në Turqi, është pakësuar ndjeshëm me kalimin e kohës….

Pyetje: - Ç’do të thotë kjo, edhe në këndvështrimin diplomatik?

Përgjigje: - Në bibliotekë ka një përmasë shkencore. Rreth 15 mijë studiues vijnë çdo vit tek ne, për të studiuar, për të bërë kërkime shkencore. Por është edhe një përmasë tjetër, të cilën në fillim nuk e pata kuptuar mirë: që kultura, në disa raste, në më të vështirat e më tragjiket, është mënyra e vetme për të krijuar ura, kur veprimtaritë e ndryshme të mendjes njerëzore mund të krijojnë vetëm kufij, ndarje, kundërvënie. E prej këndej, duke e bërë këtë shtegtim në Turqi ku, po e përsëris - opinioni publik ishte negativ - desha të dëshmoj hapjen e Kishës, përmes kanalit të kulturës.

Pyetje: - Kjo do të thotë se etapa turke bën pjesë në një projekt më të gjerë, të cilin ju disa herë e keni quajtur “diplomacia e librit dhe e kulturës” e që Biblioteka Apostolike e ka nisur tashmë prej kohe…

Përgjigje: - Po, pothuajse që prej tri vjetësh.  Kjo politikë ka tri përmasa. E para, është se u ftova nga qeveria e Beogradit,  e Sofjes, e Bukureshtit e edhe Patriarkët më kanë kërkuar t’i ndihmoj - si Kishat vendase, ortodokse, natyrisht – ashtu edhe vetë vendet, për të rigjetur, për të rindërtuar kujtesën e tyre të dërrmuar nga lufta, kur bibliotekat kombëtare u dogjën e u rrënuan. Pra përmasa e parë shumë interesante, është se Kishat ortodokse i kërkojnë Vatikanit - Kishës katolike universale - ndihmë e mbështetje për të rigjetur e për të rindërtuar kujtesën e tyre. Biblioteka e Vatikanit tani është bërë si “Bibliotekë amë”, për këto biblioteka kombëtare dhe kishtare.Përmasa e dytë, është Amerika Latine: prita, tri javë më parë, ambasadorin e Uruguajt, që më kërkoi, nëse do të ishte e mundur, të prisja si në Bibliotekë, ashtu edhe në Arkiv, përgjegjësen e Arkivit kombëtar. Kjo zonjë dëshironte të studionte mënyrën si punojmë, si restaurojmë e si i presim studiuesit. I propozova zonjës të rrijë me ne dy a tri javë, për të studiuar modelin e Bibliotekës së Vatikanit. E përmasa e tretë, është Lindja e Largët. Vitin e kaluar shkova në Tokio, për të përuruar një ekspozitë shumë të bukur e tani po përgatisim një ekspozitë tjetër lëvizëse në Kinë, verën e vitit të ardhshëm, për t’i krijuar publikut kinez mundësinë t’i njohë nga afër dorëshkimet e lashta, që kemi në Bibliotekën tonë. Për t’ia paraqitur publikut të gjerë, do të dixhitalizohen plotësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.