2016-03-21 17:07:00

Hong Kong: më se 3000 pagëzime Natën e Pashkëve


“Jo vetëm që gjetët dritën, por duhet edhe të shndërroheni në dritë, që ndriçon botën”: kështu u foli kardinali John Tong Hon, ipeshkëv i Hong Kongut, katekumenëve gjatë riteve fillestare, kremtuar më 6 mars, në të Dielën IV të Kreshmëve. Në prag të Pashkëve, udha kreshmore e Vitit të Mëshirës në Hong Kong fiton çdo ditë përshpirtëri të re. Sipas njoftimeve të së përjavshmes dioqezane Kung Kao Po, ribotuar nga agjencia Fides, në dioqezën e Hong Kongut, 3200 katekumenë do të marrin, Natën pa gjumë të Pashkëve, sakramentet e para të krishtera: Pagëzimin, Krezmimin dhe Eukaristinë.

Ndërmjet katekumenëve, familje të tëra, prindër e fëmijë, të rinj e të sapomartuar

Nga 28 shkurti, e Diela e parë e Kreshmëve, famullitë nisën  ritet e para për katekumenët. Në të Dielën IV, kardinali Tong kryesoi dy rite në famullinë e Shën Françeskut. Ishin të pranishëm 1.600 vetë, katekumenë, nunë, nuna e katekistë, që i ndoqën rishtarët në udhën e tyre të fesë dhe në përgatitjen për sakramentet e para të krishtera. “Falë një kursi të mirëpërgatitur katekizmi, takimeve të lutjes, leximit të Shkrimit Shenjt, përshpirtërisë, ju u afruat gjithnjë më shumë pranë fesë e Kishës – u tha kardinali. - E pas Pagëzimit, duhet ta dëshmoni fenë përmes shërbimit ndaj Kishës, kujdesit për njerëzit e vegjël e të ligshtë. Sepse jo vetëm që gjetët dritën, por duhet edhe të shndërroheni në dritë, që të ndriçoni botën”. Ndëmjet katekumenëve, familje të tëra, prindër e fëmijë, të rinj e çifte të sapomartuarish, që presin Natën e Dritës.








All the contents on this site are copyrighted ©.