2016-03-20 00:00:00

Më 20 mars 1592 përfundoi ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’ e Lukë Matrëngës


Duke shfletuar kalendarin historik, më 20 mars kujtojmë ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinë e Krishterë’, veprën në dialektin toskë, të papas Lukë Matrëngës, të cilën e përfundoi më 20 mars 1592, në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo.

Më 20 mars 1592, në Piana dei Greci (fshatin e Arbëreshëve) mbi Palermo të Sicilisë, priftit arbëresh, papas Lekë Matrënga (150-1619) përfundoi ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’, veprën e dytë të shqipes së shkruar, pas ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut. 

Kjo vepër, ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’, përmban doktrinën e krishterë, shkruar në dialektin toskë nga papas Lukë Matrëngës. Siç pohon titulli ‘E mbsuame e krështerë’, është, pra, ‘Doktrinë e Krishterë’ në gjuhën shqipe dhe është një Katekizëm prej njëzetetetë faqesh,  përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht.

Kopja e përkthimit shqip në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Lukë Matrëngës, nxënës i Kolegjit Grek (Arbëreshë) në Romë, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit.

Një variant tjetër i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, është ai i shtypur në Romë nga Guglielmo Facciotto 'me lejen e të parëve' më 1592, që u zbulua nga Mario Rok (Mario Roques).

Nga një tjetër dorëshkrim është botuar një edicion i Doktrinës me shënime të Prof. M. La Piana në revistën ‘Roma e l’Oriente’ më 1912.

Titulli i plotë i botimit është: "Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma".
(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti Atë Ledesma i Shoqatës së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)
Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet për t’ marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Sicili e në Pulje të Italisë.

‘Doktrina e Krishterë’ e papas Lukë Matrëngës ka vetëm me 28 faqe, por është me rëndësi historike e letrare, jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepër e parë e shkruar në toskërishte nga një arbëresh.








All the contents on this site are copyrighted ©.