2016-03-20 17:13:00

Bullgari. Kardinali Parolin kushton kishën mariane në Sofje


Ju sjell përshëndetjen e Atit të Shenjtë, i cili e ndjek me interesim të madh jetën e kësaj bashkësie katolike, të vogël, por plot energji. Kështu u shpreh kardinali Parolin, në përfundim të kushtimit të katedrales së Hekzarkatit apostolik në Bullgari, kushtuar “Të Ngjiturit të Zojës në Qiell”. I pranishëm edhe metropoliti ortodoks Antonij, përgjegjës për Evropën Lindore. Hirësia e tij i nxiti katolikët bullgarë  ta mbajnë gjallë shpirtin e Shenjtorëve Çirili e Metodi, së bashku me vëllezërit ortodoksë, dhe i inkuarajoi t’i mirëpresin konfesionet e tjera fetare si dhe ata që nuk kanë ndonjë drejtim të caktuar fetar. Në mënyrë të posaçme, në këtë Vit të Mëshirës - shtoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - ju ftoj të jeni të vëmendshëm ndaj më të varfërve, nevojtarëve, të vuajturve e të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë.

Kisha e Papës Roncalli

Kardinali kujtoi edhe se në këtë kishë u lutën imzot Angelo Roncalli – delegati i parë apostolik në Bullgari,  më pas Papa Gjoni XXIII – e edhe Papa Gjon Pali II, për të nënvizuar, në vijim, rolin e tre etërve Asuncionistë, pushkatuar nga komunistët.

Kisha e restauruar, ndërtuar në vitin 1924, ka qenë vetëm e bekuar, por jo e kushtuar.

Në kremtimin e kushtimit, së bashku me kardinalin Parolin  bashkëkremtuan nunci apostolik, imzot Anselmo Guido Pecorari, kryetari i ipeshkvijve bullgarë, imzot Christo Proykov si dhe dy ipeshkvijtë e tjerë katolikë. Ndërmjet përfaqësuesve të autoriteteve, ishte edhe kryetarja e parlamentit bullgar, Tsetska Tsatcheva; zëvendëspresidentja e Republikës, Margarita Popova si dhe zëvendës-kryeministrja, Meglena Kuneva.








All the contents on this site are copyrighted ©.