2016-03-19 14:38:00

Më 19 mars 1937u botua enciklika e Piut XI “Divini Redemptoris” kundër komunizmit ateist.


Më 19 mars 1937u botua enciklika e Piut XI “Divini Redemptoris” kundër komunizmit ateist.
Enciklika e Papës Piut XI “Divini Redemptoris”, botuar më 19 mars 1937, i kushtohet denoncimit e gabimeve të komunizmit ateist. Me këtë Letër enciklikë Papa Piu XI denoncoi gabimet e komunizmit, që “e zhveshi njeriun nga liria e tij duke i dhunuar dinjitetin personit njerëzor e përbuzur çdo vlerë morale, e si pasojë duke udhëhequr shoqërinë drejt humnerës, pa kthim e shpëtim. Për Papën Piun XI komunizmi ateist është “ në thelb degjenerues” që ka qëllime të mbrapshta, në të cilat fshehët ideja e “rreme” e shpëtimit dhe përparimit.  Me ‘Mit brennender sorge’, botuar pesë ditë para enciklikës ‘Divini Redemptoris’, Papa Piu XI i jep një goditje të fuqishme dhe denoncon publikisht ideologjitë dhe regjimet totalitare të epokës, komunizmin dhe nazizmin.

Me enciklikat “Divini Redemptoris” e “Mit brennender SorgePapa Piut XI dënon totalitarizmat e shekullit të kaluar.
Më 19 mars 1937 Papa Piu XI botonte enciklikën “Divini Redemptoris”, letër që denonconte tmerret dhe krimet e komunizmit. Komunizmi – shkruan Papa – e zhvesh njeriun nga liria e tij, ia zhduk dinjitetin dhe vetëpërmbajtjen morale, duke e nxitur me stimuj të verbër. Pak ditë pas këtij dokumenti, e pikërisht më 14 mars, me “Mit brennender Sorge”, Papa Ratti pati qortuar rëndë sjelljen çnjerëzore të ideologjisë naziste. 

Historiani Pietro Skopola flet mbi vlerën e këtyre dy dokumenteve.
“Atmosfera është mjaft dramatike, prelud i konfliktit të dytë botëror, ajo që karakterizon publikimin e këtyre dy dokumenteve. Jemi në vigjilje të kësaj ngjarje dramatike, që sundon historinë e shekullit XX e Papa nuk mund të mos i dënonte me shkrim të dy totalitarizmat, dy “fetë shekullare”: nga njëra anë, komunizmin me “Divini Redemptoris”, e nga ana tjetër, nazizmin me “Mitbrennender Sorge”. Janë të dyja enciklika të forta; por me atë kundër komunizmit, që është më e prerë, Papa e damkos këtë ideologji çnjerëzore. Dënimi i Papës Piu XI është shumë domethënës e, nga ana tjetër, i paraprin një enciklike tjetër, që nuk u botua, sepse Papa vdiq para se ta shpallte. Është fjala për enciklikën “Humani Genesis Unitas” kundër relativizmit gjerman. Tani ka dalë përsëri në dritë, në saje të kërkimeve të kohëve të fundit, kur u hapën Arkivat Sekrete të Vatikanit dhe dokumentet mbi papninë e Piut XI, deri pak kohë më parë të panjohura, nisen të shfletohen nga studiuesit. Nga ky studim po zbulohen shumë elemente tepër interesante për historinë e kësaj papnie”.

Çfarë ndikim patën këto dy enciklika?
“Patën ndikim të madh në ato mjedise ku mundën të arrinin, sepse nuk duhet të harrojmë që, si regjimi komunist, apo socializmi real, siç ishte në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe nazizmi, nuk e lejonin lirinë e shtypit, nuk e pranonin qarkullimin e lirë të ideve. Vetë ipeshkvijtë e meshtarët, në homelitë e së dielës, mundoheshin me çdo kusht të mos jepnin lajme që shkaktonin reagime. E nuk duhet të harrojmë se në Rusi, ashtu si në satelitët e saj, njerëzit jetonin në atmosferën e persekutimit fetar. Prandaj mund të themi se ndikimi i të dyja enciklikave u ndje fort në nivelin e klasave drejtuese, që mund të shfrytëzonin çdo lloj lajmi, por në nivelin e masave popullore u njohën pak e aspak, për shkak të mungesës së lirisë të qarkullimit të ideve”.

Po si t’i kuptojmë këto dy dokumente 46-vjet pas botimit?
“Janë dokumente që ruajnë vlerën e tyre të madhe, sepse denoncojnë fenomenin e fesë shekullare – këtë pretekst të politikës për t’u bërë gjithçka në jetën njerëzore, për të thithur në vetvete edhe përmasën fetare. Dënimi i një ideologjie të tillë pati një vlerë të jashtëzakonshme për kohën kur u bë, por nuk e ka humbur këtë vlerë as sot e mbetet qortim edhe për të ardhmen. Të dy enciklikat mbeten pikë referimi për vlerat e demokracisë e të lirisë”.
Të dyja enciklikat u botuan njëra pas tjetrës: “Divini Redemptoris” më 14 mars 1937 ndërsa “Mit brennender Sorge” më 19 mars të të njëjtit vit….
“ Kemi të bëjmë me një simetri, me dëshirën për simetri, që dënimi i totalitarizmit të së djathtës, nazizmit, të shoqërohej me dënimin e totalitarizmit të së majtës, komunizmit, duke i vënë në të njëjtin plan, si regjime që pretendojnë të thithin gjithçka në politikë, ta bëjnë politikën vlerë absolute, me në krye një udhëheqës të vetëm, që ka pushtet absolut, si Stalini e Hitleri”.

Çfarë reflektimesh mund të bëjmë sot, gjatë leximit të dy enciklikave?
“ Po t’i lexosh sot, të pushton ankthi, kupton sa të tmerrshme qenë tragjeditë e shekullit që lamë pas shpine, në vigjilje të Luftës II botërore, edhe kjo një nga tragjeditë më të mëdha që ka jetuar njerëzimi, gjatë së cilës vdiqën 50 milionë njerëz e linden dy totalitarizma, të cilat mbajnë të njëjtën përgjegjësi për mbytjen e njerëzimit në një det gjaku, në kushte lufte, si nazizmi e edhe në kushte paqeje, si komunizmi. Të dy dokumentet vlejnë edhe për të ardhmen, sepse tregojnë rrugën në të cilën duhet ecur për kapërcimin e mundshëm të pasojave të dy ideologjive kriminale, që nuk janë zhdukur akoma e të ftojnë për rivlerësimin e dinjitetit të njeriut. Temat e tyre u zhvilluan më tej nga Piu XII në mesazhet e tij të famshme gjatë viteve të fundit të luftës, mesazhe që tregojnë qartë se Kisha radhitet haptazi në anën e demokracisë, si regjim i përshtatshëm për garantimin e dinjitetit të njeriut” në shoqëri.

teksti plote i enciklikes: http://w2.vatican.va/content/pius-xi/it/encyclicals/documents/hf_p-xi_enc_19370319_divini-redemptoris.html

 








All the contents on this site are copyrighted ©.