2016-03-19 16:00:00

Françesku: ipeshkvijtë të shikojnë në sy, për të parë në zemër


Në solemnitetin e Shën Jozefit, Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën me shugurimin ipeshkvnor të imzot Peter Brian Wells, nunc apostolik në Jugun e Afrikës, Botswana, Lesotho e Namibi si dhe të imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Mbajti edhe homelinë rituale, me disa shtesa jashtë tekstit.

Episkopati është shërbim

Episkopati, tha Papa, është shërbim, jo nderim. Sepse ipeshkvi duhet të shërbejë, më shumë se të sundojë, sipas urdhërimit të Mësuesit: “Kush është më i madhi ndër ju, të bëhet më i vogli. E kush sundon, ai që shërben”. Të jeni shërbëtorë, të të gjithëve: të më të mëdhenjve e të më të vegjëlve. Të të gjithëve. Por gjithnjë shërbëtorë. Gjithnjë në shërbim!

Në shërbesën e ipeshkvit, është vetë Krishti, që kumton Ungjillin

Është vetë Krishti - shtoi Papa - që vijon ta predikojë Ungjillin e shëlbimit e t’i shenjtërojë besimtarët, përmes sakramenteve të fesë. Është Krishti që, në atësinë e ipeshkvit, e rrit me gjymtyrë të reja korpin e vet, Kishën. Është Krishti, që me urtinë e maturinë e ipeshkvit, i prin popullit të Hyjit në shtegtimin tokësor, deri në lumturinë e amshuar. Krishti, që predikon; Krishti, që bën Kishën; që fekondon Kishën; Krishti, që prin: ky është ipeshkvi.

Detyra e parë e ipeshkvit është lutja

“Ndiqeni gjithnjë shembullin e Bariut të Mirë, që i njeh delet e veta. Pas çdo karte, është një njeri. Pas çdo letre, që merrni, është një person. Të cilin ju e njihni, ose duhet të jeni të aftë ta njihni. Duajini, me dashurinë e atit e të vëllait, të gjithë ata, që jua beson Zoti. Posaçërisht meshtarët dhe diakonët”.

Të vjen të qash, kur dëgjon meshtarin, që tregon se deshi të takohej me ipeshkvin e tij e sekretarja i tha: “Ipeshkvi është shumë, shumë i zënë,  nuk mund të presë askënd para tre muajsh”.

Ipeshkvijtë të jenë  pranë të varfërve e të pambrojturve

“Nëse ti nuk e do së pari atë, që e ke pranë, sigurisht nuk do të jesh në gjendje t’i duash të gjithë: të jeni, prandaj, përherë pranë meshtarëve, diakonëve, bashkëpunëtorëve tuaj në shërbesë; pranë të varfërve, të pambrojturve dhe të gjithë atyre, që kanë nevojë për mikpritje e ndihmë. Shikoje besimtarin në sy. Jo tërthor: në sy. Për t’i parë zemrën. E që edhe besimtari, meshtar, diakon a laik qoftë, të mund të shohë zemrën tënde. Por mos harro ta shikosh gjithnjë në sy!

Vëmendje atyre, që nuk i përkasin Kishës

“Kini  sa më shumë kujdes ndaj atyre, që nuk i përkasin vathës së vetme të Krishtit, sepse edhe ata jua ka besuar Zoti”. Mos harroni se në Kishën katolike, të lidhur me lidhjen e dashurisë, bashkoheni me Kolegjin e ipeshkvijve e duhet të keni kujdes për të gjitha Kishat, duke i ndihmuar bujarisht ata, që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

Papa përfundoi  homelinë me urimin:

“Zoti ju shoqëroftë, qoftë pranë jush në këtë udhë, që po e filloni sot!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.