2016-03-18 15:57:00

Papa Neokatekumenalëve, jo mendësisë së botës e kërkimit të suksesit


Papa Françesku u takua, sot paradite, në Sallën Pali VI, në Vatikan, me rreth 7 mijë anëtarë të Ecjes Neokatekumenale dhe u dorëzoi kryqin misionar rreth 270 familjeve, që do të nisen në 56 missio ad gentes – misione ndërmjet popujve, në të pesë kontinentet, duke theksuar: “me zemër nisem pas jush”.

Gjatë këtij takimi plot entuziazëm ungjillor, Françesku u foli të pranishmëve për misionin e vërtetë, që duhet të ndjekin. Para mundimeve të Tij – u kujtoi - Jezusi paralajmëron se do të lumnohet mbi kryq: aty do të duket lavdia e Tij. Një lavdi e re, e panjohur për botën. Lavdia e botës duket kur njeriu është i rëndësishëm, kur ka pasuri, sukses. Ndërsa lumnia e Zotit duket mbi kryq: është dashuri, që ndriçon e i përhap kudo rrezet e veta. Lavdi paradoksale: pa poterë, pa fitime, pa duartrokitje. Por vetëm kjo lavdi e bën Ungjillin pjellor. E kështu edhe Kisha Nënë është frytdhënëse vetëm kur imiton dashurinë përdëllyese të Zotit, që propozohet, por nuk imponohet:

“Ajo është e përvuajtur, vepron si shiu i butë  përmbi tokë; si ajri, që thithim; si fara e vogël, që mbin e rritet e jep fryt në heshtje të plotë. Kush e kumton dashurinë, nuk mund ta bëjë ndryshe, veçse me stilin e vetë dashurisë”.

Dyqind e shtatëdhjetë familjet, që u takuan me Papën sot, në Vatikan, dërgohen për të ungjillëzuar botën. Prej këndej, porosia e Françeskut:

“Zoti nuk joshet nga mendësia e botës, madje e përbuz, por e do fort botën, të cilën ai vetë e krijoi, e i do edhe bijtë e tij në botë”.

I do ashtu siç janë, atje ku jetojnë, edhe kur i rrinë larg. Tregojani bijve shikimin e dhembshur të Atit e konsiderojini si dhuratë, realitetet me të cilat do të takoheni; familjarizojuni me kulturat, me gjuhët, me doket e zakonet e vendit, duke i respektuar e duke i  dalluar farët e hirit, që i ka përhapur aty Shpirti Shenjt.

Këtë theksoi Papa, e në vijim i porositi të pranishmit të mos tundohen për të mbartur aty modele të huaja, por të mbjellin kumtimin e parë, sepse pikërisht kjo është më e bukur, më e madhe, më tërheqëse e, njëkohësisht, edhe më e nevojshme. Është Lajmi i Mirë ai, që duhet të rikthehet pambarimisht, përndryshe feja rrezikon të bëhet doktrinë e akullt, pa jetë. Papa u kërkoi misionarëve ta kumtojnë Ungjillin më shumë me jetën e tyre, ta dëshmojnë, duke e jetuar me unitet e thjeshtësi:

“Ju falënderoj në emër të mbarë Kishës – u tha në përfundim misionarëve- unë mbetem këtu, por me zemër vij pas jush”.








All the contents on this site are copyrighted ©.