2016-03-18 16:38:00

Java e Shenjtë e Pashkëve me ritet liturgjike


Me të Dielën e Larit, nisi Java e Madhe e Pashkëve. Në Vatikan, Papa e kremton këtë të Diele të veçantë liturgjike, që përkujton hyrjen e ngadhënjimin mbretëror të Krishtit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij deri me kryqëzim e vdekje mbi Kryq.

Të Enjten, Kisha kremton të Enjten e Madhe të Pashkëve: Duke u nisur nga Papa, ipeshkvi i Romës e në çdo Kishë Katedrale të botës, nga ipeshkvi vendor, këtë ditë kremtohet Mesha e bekimit të vajrave të Shenjtë, që quhet Mesha e Bagmit.

Papa në Romë do të kremtojë bashkë me kardinaj, ipeshkvij dhe meshtarë dioqezan e rregulltarë, ndërsa nëpër Kishat Katedrale dioqezane, çdo ipeshkëv ordinar kremton bashkë me klerin vendas, në shenjë bashkimi meshtarak e kishtar dhe atë ndërmjet Bariut të Kishës dioqezane me Bariun e Kishës Universale.

Fillon kështu Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve, ai i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit, që është "kulmi i tërë vitit liturgjik". E ky treditësh i Shenjtë nis pikërisht të Enjten e Pashkëve me kremtimin e Meshën e Darkës së fundit të Krishtit, dhe gjen thelbin e kulmin e vet në Natën e pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes.

Kështu, të Enjten e Madhe të Pashkëve, kremtohet Mesha e Darkës së Mbrame të Krishtit. Me këtë kremtim Eukaristik, që kremtohet në orët e mbrëmjes, Kisha kujton darkën e fundit, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit Atë Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej për shpëtimin e njerëzimit.

Gjatë kremtimit të Eukaristisë së Shenjtë të Enjtes së Pashkëve, pas liturgjisë së Fjalës Hyjnore dhe homelisë, kremtohet riti i larjes së këmbëve të dymbëdhjetë meshtarëve, apo besimtarëve.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa do t'i prijë kremtimit të Liturgjisë të Fjalës së Zotit dhe Adhurimit të Kryqit të Jezu Krishtit.

Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua për shëlbimin e njerëzimit me vdekjen mbi Kryq, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrit të vet dhe, me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës.

Po të Premten e Madhe të Pashkëve, duke nisur nga ora 21.15, Papa, sipas traditës do të udhëheqë "Udhën e Kryqit" pranë amfiteatrit romak Koloseut. Në përfundim Papa Françesku do t'u drejtojë fjalën besimtarëve të pranishëm dhe do t’u japë Bekimin e Tij Apostolik.

Të Dielën kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht. Kremtimi më i rëndësishëm i tërë Vitit Liturgjik, pra festa themelore e fesë së krishterë, fillon të Shtunën e Shenjtë, e nis me Natën e Pashkëve, në nderim të Jezusit që dhuroi jetën e Tij për ne mbi Kryq, e sipas një tradite shumë të lashtë, të Shtunën e Shenjtë të Pashkëve, kremtohet me lutje e Liturgji Hyjnore, që na kujtojnë pikërisht Natën në të cilën Krishti u Ngjall prej së vdekurish. Kjo natë konsiderohet me të drejtë si "Nënë e të gjitha netëve të lutjes". Këtë Natë të Shenjtë, Kisha rri zgjuar, në lutje e në pritje të Ngjalljes së Zotit dhe atë e kremton me Sakramentet e zanafillës së krishterimit. Në Bazilikën e Vatikanit, Ritet e Shenjta të Natës së Pashkëve, do të kremtohet nga Papa.

Papa do të bekojë zjarrin e ri në tremen e bazilikës, më pas procesioni do të hyjë në bazilikë me qiriun e Pashkëve dhe me këngën "Exultet". Posa mbërrin në elter, fillon liturgjia e Fjalës së Zotit, vijon liturgjia e Sakramentit të Pagëzimit dhe Përforcimit (Krezmimit), e dhe liturgjia eukaristike, që do të bashkëkremtohet nga kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët.

Me të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes, fillon "periudha, pra koha gazmore e Ngjalljes”, e vijon koha e Shenjtë e Rrëshajëve, ose 50 ditshi i Pashkëve, në të cilën Kisha kremton praninë e të Ngjallurit dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt Zot.

Mesha e Ditës së Pashkëve do të kremtohet në tremen e Bazilikës së Vatikanit, udhëhequr nga Papa Françesku i cili, sipas traditës, në përfundim të kremtimit do të japë bekimin "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës.

Por si duhet të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve?

Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime e ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja e ngjallja e Jezu Krishtit. Kush e ndjen me fe e në shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.