2016-03-17 14:43:00

Papa Françesku: dhembshuria është forca e vërtetë e shoqërisë


Forca e një bashkësie shihet nga dhembshuria e saj për më të brishtët: kështu tha Papa Françesku para 3 mijë pjesëmarrësve të Takimit romak, organizuar nga “Harvard World Model United Nations” (Modeli Botëror i Harvardit për Kombet e Bashkuara). Ati i Shenjtë priti në Sallën Pali VI në Vatikan, studentët universitarë nga 115 vende të botës, të cilët i kanë vënë vetes detyrë t’i shpjegojnë planetit veprimtarinë, që zhvillon OKB-ja dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, si edhe të nxjerrin nga gjiri i tyre liderët botërorë të së ardhmes.

Problemet e botës kanë fytyrë

         Kombet e Bashkuara e secili prej vendeve anëtare, nënvizoi Papa Françesku, duhet të jenë gjithnjë të gatshëm t’u shërbejnë të mënjanuarve të shoqërisë. Sipas Atit të Shenjtë, nevojiten struktura bashkëpunimi e solidariteti, të cilat të vendosin gjithnjë njeriun në qendër të veprimtarisë së tyre, sepse problemet kanë gjithnjë një fytyrë. Pas çdo vështirësie, theksoi Papa, ka burra e gra, të rinj e të moshuar, njerëz si ne:

         “Ka familje dhe individë, që jetojnë çdo ditë duke luftuar, që përpiqen të kujdesen për bijtë e tyre e t’u plotësojnë kërkesat, jo vetëm për të ardhmen, por edhe për nevojat elementare të sotme. Po ashtu, shumë prej atyre, që goditen nga problemet më të rënda të botës aktuale, nga dhuna e intoleranca, janë kthyer në refugjatë, tragjikisht të detyruar t’i braktisin shtëpitë, të privuar nga toka e nga liria”.

Dhembshuria për të tjerët është forca e një bashkësie

         Këta njerëz kanë nevojë për ndihmë, ngriti zërin Papa Françesku. Ata kërkojnë të dëgjohen e janë plotësisht të denjë që ne të bëjmë ç’është e mundur për t’u dhënë drejtësi, paqe e solidaritet:

         “Forca jonë si bashkësi, në çfarëdolloj niveli të jetës e të organizimit shoqëror, bazohet jo aq në njohuritë tona e në aftësitë personale, sa në dhembshurinë që tregojmë ndaj njëri-tjetrit, në kujdesin që praktikojmë sidomos për ata, të cilët nuk mund të kujdesen për vetveten”.

Të kujdesemi për tjetrin, thirrje për gjithë njerëzimin

         Në fund, Papa kujtoi impenjimin e Kishës Katolike në shërbimin për të varfërit, për refugjatët e familjet, sidomos për mbrojtjen e dinjitetit të patjetërsueshëm dhe të të drejtave të çdo njeriu:

         “Ne të krishterët besojmë se Jezusi na thërret t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona, të kujdesemi për të tjerët, pavarësisht nga prejardhja e tyre apo nga rrethana të tjera. Megjithatë, kjo nuk është diçka, që i dallon vetëm të krishterët, por është thirrje universale, e rrënjosur në humanitetin tonë të përbashkët, diçka që e kemi brenda si njerëz!”.

         Në përfundim të audiencës me Papën, studentët u nisën në procesion, me flamujt e tyre kombëtarë, drejt Kapitolit e qendrës së Romës, deri në Koloseum. 








All the contents on this site are copyrighted ©.