2016-03-16 14:31:00

Papa: gjë e bukur kur kombet ua hapin portat emigrantëve


“Jam i lumtur kur shikoj qeveritarë, që hapin zemrat e hapin portat”. Është një nga pohimet e Papës, jashtë tekstit, duke folur lirisht, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 40 mijë vetëve, shtegtarë, romakë e turistë. Françesku foli për miliona emigrantë, në kërkim të një atdheu të ri, duke pohuar se Zoti nuk mungon as, e sidomos, në këto situata dramatike.

Papa kujtoi edhe një herë epokën me turma vigane njerëzish, që ravgojnë udhë pa udhë, me e pa çadra, jashtë, në mes të baltës, në një xhungël të vërtetë, ose që vijojnë të shtegtojnë, valë mbi valë, drejt Ballkanit, drejt atyre, që i quajnë udhët e shpëtimit. Janë plot me karvane njerëzish të dëshpëruar, këto rrugë të cilat, në vend të portave, ndërtojnë mure. E nuk ka gjë që mund ta shpjegojë më mirë kuptimin e fjalës “lumturi” për këta njerëz, sesa shprehja thellësisht njerëzore: “Eja! Mund të rrish këtu. Nuk do të të dëbojë më askush!”.

Ku është Zoti?   

Papa ua kushtoi këtyre njerëzve katekizmin, nën një qiell ku dielli luante me retë, në sa ndjehej fort afrimi i pranverës, pas një dimri të pakohë. Në këta të shpërngulur të ditëve tona, Françesku pa të mërguarit e Izraelit, për të cilët flet Bibla; rilexoi fjalët e lashta, të cilat Jeremia Profet ia kushtoi ngushëllimit, atij ngushëllim, që sot flet për rikthimin e shpejtë në atdhe të  mërgimtarëve të rinj, që arrijnë nga Lindja e Mesme, nga Afrika, nga Azia, Njerëz, të cilët bashkëjetojnë me varfërinë materiale, me mjerimin. Njerëz, që ndjehen fillikat. E jo vetëm në tokë. Por edhe në qiell:

“Sa e sa herë e kemi dëgjuar këtë fjalë: ‘Më ka harruar edhe Zoti!’: janë njerëz, që vuajnë e që e ndjejnë veten fare të braktisur. E sa nga vëllezërit tanë po e jetojnë, në kohët tona, situatën reale e dramatike të mërgimit, larg atmes, me pamjet e tmerrshme të rrënojave të shtëpive të tyre në bebe të syrit, me frikë në zemër e, shpesh herë, për fat të keq, edhe me dhimbjen e padurueshme të humbjes së njerëzve të dashur. Në këto raste njeriu mund të bëjë edhe pyetjen: “Ku është Zoti?”.

Kombe, që hapin portat

E edhe pyetjen: “Ku është solidariteti, mikpritja për të huajin që, prej mijëra vjetësh, tregon shkallën e qytetërimit të një populli?”. “Si është e mundur - vijoi të pyesë Françesku - që të bjerë mbi kokën e burrave, të grave, të fëmijëve të pafajshëm gjithë kjo mënxyrë?”.

Kur kërkojnë të hyjnë në një anë a në një tjetër, ua mbyllin portën. E mbeten të ngujuar në kufi, sepse para tyre shumë porta e shumë zemra janë të mbyllura. Emigrantët e sotëm vuajnë nga e ftohta, nga mungesa e ushqimit, e ujit, e nuk mund të hyjnë askund, sepse mungon mikpritja. Mua më pëlqen shumë kur shoh kombet, qeveritarët, që hapin zemra e porta!

Zoti nuk është kurrë mungues

Nga Jeremia, Papa mori atë siguri, të cilën ua përçoi edhe atyre, që sot ëndërrojnë dheun e premtuar, presin të lindë edhe për ta një shpresë e re. Atë siguri, shtoi, që e ndihmoi Shqipërinë të ngrihet rishtas pas gjithë atij persekutimi e shkatërrimi. E po këtë siguri, Françesku e rikujtoi edhe duke përshëndetur, pas katekizmit, popullsitë e Lindjes së Mesme:

“Zoti nuk mungon as sot, në këto situata dramatike. Është pranë, bën vepra të mëdha shpëtimi, për njeriun që beson në Të. Nuk duhet t’i nënshtroheni dëshpërimit, por të jeni përsëri të sigurt se e mira fiton mbi të keqen e se Zoti do të terë çdo lot e do të na çlirojë nga çdo frikë”.

Rikthimi i zemrës, paqja e Zotit  

Por rikthimi i të mërguarve të Sionit në Jeruzalemin e ri, përfundoi Françesku, është edhe “simbol i madh i ngushëllimit”. I jepet një zemre, që  di të bëjë kthesën e madhe:

“Kthimi i vërtetë dhe rrënjësor nga mërgimi dhe drita ngushëlluese pas errësirës të krizës së fesë, realizohet në Pashkët e Krishtit, në përvojën e plotë e përfundimtare të dashurisë së Zotit, dashuri përdëllyese, që dhuron gëzimin, paqen dhe jetën e pasosur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.