2016-03-16 13:59:00

Në Itali themelohet Dita e viktimave të emigracionit


Senati italian miratoi sot themelimin e Ditës kombëtare në kujtim të viktimave të emigracionit. Ligji, që mori 143 vota pro, 9 kundër dhe 69 abstenime, cakton 3 tetorin si datën, në të cilën populli italian do të kujtojë të gjithë emigrantët, që janë mbytur duke kaluar Detin Mesdhe, për të arritur në Eldoradon e dëshiruar evropiane. Më 3 tetor 2013, në afërsi me ishullin e Lampeduzës, humbën jetën në det 366 emigrantë. Papa Françesku vendosi të shkojë pikërisht në këtë ishull, në udhëtimin e tij të parë jashtë Vatikanit e Romës.

E nuk mund të mos kujtojmë këtu edhe viktimat shqiptare të emigracionit, sidomos ato të Otrantos, 81 të mbytur e 24 të zhdukur, që akoma nuk janë deklaruar të vdekur, a thua se do të kthehen sërish në shtëpitë, nga ikën për një jetë më të mirë përtej brigjeve të Adriatikut. Jo më larg se më 28 mars, mbushen 19 vjet nga përplasja e anijes “Katër i Radës” me anijen ushtarake italiane “Sibilla”. Për 14 vjet me radhë, familjarët e viktimave zhvilluan një betejë të ashpër e këmbëngulëse me drejtësinë italiane, por gjyqet u zvarrisën, derisa përfunduan me dy dënime gati simbolike, sikur të akuzuarit të ishin hajdutë cigaresh e jo shkak për humbjen 115 jetëve. Tani, përveç shqiptarëve, që çdo vit mblidhen në molin e Otrantos, do të hedhë një lule për të mbyturit edhe populli italian.

Ndërkaq, Evropa i lë emigrantët e rinj, që ikin nga lufta e dhuna e Shtetit Islamik, në kufijtë e saj, duke bllokuar hyrjen e duke pezulluar qarkullimin e lirë të parashikuar nga Traktati i Shengenit. Është gati t’i japë miliarda Turqisë me kusht që të ikurit të mbeten në territorin e saj, ku ka dyshime për respektimin e të drejtave të njeriut dhe akuza për ndihmën dhënë Isisit. Duket sikur janë politikanët ata, që vendosin të mos i pranojnë refugjatët në vendin e tyre, por në të vërtetë, problemi është më i thellë. Shembull: sapo kancelarja gjermane Angela Merkel vendosi t’u hapë dyert emigrantëve sirianë, votuesit për tre parlamente rajonale e dënojnë, duke preferuar të djathtën populiste, kundër emigracionit. Çështja është: Evropa apo evropianët nuk i duan emigrantët? 








All the contents on this site are copyrighted ©.