2016-03-15 13:06:00

Thënie të Nënë Terezës që njihen në të gjithë botën


Nënë Tereza, Çmim Nobel për Paqe në vitin 1979, e Lume më 2003, ka shumë për t’u mësuar njerëzve e sidomos kombit ku lindi, atij shqiptar. Nuk pati shkruar kurrë mësime, por mësoi me shembull konkret e, megjithatë, thëniet e saj njihen në të gjithë botën. Ja disa prej tyre:

- Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.
- Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim.
- “Do të jem shenjte” do të thotë ta zhvesh vetveten nga çdo gjë që s’është e Zotit; t’i shkul nga zemra të gjitha gjërat e kësaj bote; të jetoj në varfëri dhe mënjanim; të heq dorë nga dëshirat, prirjet, tekat, idhujt e mi e ta bëj vetveten, me dëshirë, skllave të vullnetit të Zotit. 
- Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.
- Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.
- Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.
- Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.
- Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfërit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.
- Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.
- Në Perëndim ka vetmi, të cilën unë e quaj “gërbula e Perëndimit”. Në shumë mënyra, kjo është më keq se ajo e të varfërve tanë në Kalkutë.
- Të varfërit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.
- Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.
- Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.








All the contents on this site are copyrighted ©.