2016-03-15 11:47:00

Papa: Jezusi flijohet për dashuri e fiton mbi gjarprin e së keqes


Nëse duam ta njohim “historinë e dashurisë” së Hyjit për ne, duhet të shohim Kryqin, mbi të cilin është një Zot, që hoqi dorë nga hyjnia e Tij, u bë mëkat, për të shpëtuar njerëzit. Kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

Historia e shëlbimit, që tregon Bibla, ka të bëjë me një rrëshqanor, i pari i përmendur në Librin e Zanafillës dhe i fundit, në Librin e Zbulesës: gjarpri. Kafshë, që në Shkrimin Shenjt është simbol i fuqishëm i dënimit me flakët e ferrit, por misteriozisht, siç pohoi Papa, është edhe simbol i shëlbimit.

Misteri i gjarprit

Për ta shpjeguar këtë mister, Ati i Shenjtë ndërthuri Leximin e marrë nga Libri i Numrave me pjesën nga Ungjilli sipas Gjonit. Në Besëlidhjen e Vjetër tregohet çasti kur populli i Izraelit, i lodhur nga endja nëpër shkretëtirë, me pak ushqim, flet kundër Zotit e kundër Moisiut. Edhe këtu, protagonistët janë gjarpërinj e madje, dy herë. Së pari, gjarpërinjtë dërgohen nga qielli kundër popullit të pabesë, duke shkaktuar frikë e vdekje, deri sa njerëzit i përgjërohen Moisiut t’i kërkojë falje Hyjit. Së dyti, një rrëshqanor i veçantë hyn në skenë:

“Zoti i thotë Moisiut: ‘Bëj një gjarpër e vëre mbi shkop (gjarprin prej bronzi). Kushdo është kafshuar, por e sheh, do të jetojë’. Është mister: Zoti nuk i bën gjarpërinjtë të ngordhin, i lë. Por nëse njëri prej tyre i bën keq ndokujt, ky duhet të shohë gjarprin prej bronzi e do të shërohet. Pra, e larton gjarprin”.

Shpëtimi është lart

Folja “lartoj” është në të vërtetë, qendra e konfrontimit të ashpër ndërmjet Krishtit e farisenjve, që përshkruhet nga Ungjilli. Në mes të debatit, Jezusi pohon: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do ta dini se Unë Jam”. Së pari, vërejti Françesku, “Unë Jam” është edhe emri, me të cilin Zoti e quajti Veten para Moisiut, në mënyrë që ai t’ua komunikonte izraelitëve. Pastaj, shtoi Papa, kemi këtë shprehje, që përsëritet: ‘Të lartohet Biri i njeriut…”:

“Gjarpri, simbol i mëkatit. Gjarpri, që vret. Por edhe një gjarpër, që shpëton. E ky është Misteri i Krishtit. Shën Pali, duke folur për këtë Mister, thotë se Jezusi u zbraz, u përvuajt, u bë asgjë, për të na shpëtuar. E akoma më shumë: ‘U bë mëkat’. E nëse përdorim këtë simbol, ‘u bë gjarpër’. Ky është mesazhi profetik i Leximeve të sotme. Biri i njeriut, që si gjarpri, pra, ‘i bërë mëkat’, lartohet për të na shpëtuar”.

“Flijimi” i Zotit

Kjo, tha Papa, është “historia e shëlbimit tonë, kjo është historia e dashurisë së Zotit. Nëse duam ta njohim dashurinë e Zotit, të shohim Kryqin: një njeri i torturuar”, një Zot “i zbrazur nga hyjnia e Tij”, “i ndotur nga mëkati”. Por një Zot, përfundoi Ati i Shenjtë, që duke u flijuar e shkatërron përgjithmonë emrin e vërtetë të së keqes, atë që Libri i Zbulesës e quan “gjarpri i lashtë”:

“Mëkati është vepër e Djallit e Jezusi e mund Djallin, ‘duke u bërë mëkat’ e prej kësaj gjendjeje, na larton të gjithëve. Kryqi nuk është zbukurim, nuk është vepër arti me shumë gurë të çmuar, siç ka gjithandej: Kryqi është Misteri i ‘flijimit’ të Zotit, për dashuri. Është ai gjarpër, që profetizon shpëtimin në shkretëtirë: lartohet e kushdo e shikon, shërohet. E këtë, Zoti nuk e ka bërë me ndonjë shkop magjik… Jo! U bë me vuajtjen e Birit të njeriut, me vuajtjen e Jezu Krishtit!”








All the contents on this site are copyrighted ©.