2016-03-15 17:47:00

Nënë Tereza dhe mesazhi saj që na la në poezitë


Nënë Tereza na mëson te jetojmë ne përkim me Zotin përmes lutjes-poezi që na la .

Gjej kohë…
Gjej kohë të mendosh;
të lutesh gjej kohë.
Gjej kohë të qeshësh,
është gurra e gëzimit,
pushteti më i fortë,
muzika e shpirtit!

Gjej kohë për t’ lodruar.
Për të dashur gjej kohë.
Gjej kohë për t’u dashur,
për të dhënë e për të marrë,
në do që të mbetesh
i ri përgjithmonë.
E shkurtër është dita,
s’kalohet në vetmi!

Gjej kohë për të lexuar,
kohë gjej për miqësi.
Për punë, sidomos,
burim urtie,
e haraç i suksesit.
Gjej kohë për mirësi:
Është çelësi i Parajsës!

Duaje jetën ashtu si të vjen
Duaje jetën, e shumë mos kërko!
Duaje kur të duan
e duaje kur t’urrejnë.
Duaje kur t’kuptojnë
e kur s’të kuptojnë aspak.
Duaje kur të braktisin,
o kur t’nderojnë si mbret.
Duaje kur ta grabisin,
duaje kur ta dhurojnë.
Duaje kur ka kuptim,
o kur rëndë ta poshtërojnë!

Duaje kur je i lum.
Duaje dhe në vetmi
Kur je i fortë duaje,
por edhe në ligështi.
Duaje kur druhesh keq,
a kur je plot guxim.
Duaje në gëzime të mëdha,
por edhe në hidhërim.

Duaje dhe kur s’ta jep,
atë që ti kërkon,
Duaje sa herë rilind,
e sa herë që mbaron.
Por mos e duaj kurrë
jetën pa dashuri,
e kurrë mos e jeto,
pa jetë me begati!

Jeta
(Simbas Nanë Terezës)

Jeta asht mundësi: pranoje.
Jeta asht bukuri, sodite.
Jeta asht lumtuni, shijoje.
Jeta asht andërr, realizoje.
Jeta asht sfidë, sfidoje.
Jeta asht detyrë, kryeje.
Jeta asht lojë, lueje.
Jeta asht e çmueshme, çmoje.
Jeta asht pasuni, rueje.
Jeta asht dashuni, gëzoje.
Jeta asht mister, zbuloje.
Jeta asht premtim, plotësoje.
Jeta asht trishtim, mposhte.
Jeta asht himn, këndoje.Jeta asht luftë, luftoje.
Jeta asht tragjedi, përballoje.
Jeta asht aventurë, rrezikoje.
Jeta asht gjithçka, mbroje.
Jeta asht jetë, jetoje.
 
Prej autobiografisë së Nanë Terezës

Krijimi âsht hartue tue lidhë së bashku
poetikisht disa fraza të shkrueme mbi murin e
Shishu Bhava - shtëpia a e fëmijëve, themelue prej
Nanë Terezës.

Njeriu nuk han arsye
e veç për vedi mendon.
Po ti duhet ta duesh,
edhe pse ai s’të don!

Po bâne mirë - të qortojnë,
të thonë hirë e pá hirë
se e bân me kënaqë vetvedin;
s’ka gjâ, ti prap bân mirë!

Në se planet synon t’ realizosh,
do të gjêsh rrenacakë e anmiq të vërtetë;
s’ka gjâ, ti rrugën vazhdo
e planet veni në jetë!

E mira që bân sot - nesër bie në harresë;
s’ka gjâ - ti prap bân mirë!
Nderi e thjesht’sia të bâjnë të brishtë,
po t’bâjnë edhe të lirë!

Mbrenda një çasi mund t’shembet,
çka ti ndërtove një jetë.
S’ka gjâ - vazhdo - ndërto;
prej teje diçka ka për t’mbetë!

Në se njerëzinë e ndihmon,
me të rrahë kanë, me t’qitë jashtë!
S’ka gjâ, ti prap vazhdo
me i ndihë edhe me i dashtë!

Gjthçka ké të mirë, epja botës.
E di se bota me të shkelë ka nën thembër:
s’ka gjâ, ti prap epja botës,
gjithçka ké të bukur në zemër!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.