2016-03-14 16:24:00

Papa viziton Kongregatën e Doktrinës së Fesë, në kuadrin e reformës së Kuries


Sot paradite, në orën 09.00, Papa Françesku shkoi për vizitë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë. Njoftimin e dha Salla vatikanase e Shtypit. Gjatë muajve të fundit Françesku vijon të vizitojë dikastere të ndryshme të Selisë së Shenjtë, ndërsa me grupin e nëntë kardinajve (C9), vijon reformën e Kuries Romake. E sot vizitoi atë, që dikur njihej si dikasteri më i lartë, ish-Zyra Shenjte, e udhëhequr nga kardinali Gerhard Ludwig Mueller.

E pikërisht këto muaj flitet shumë edhe për temën e “decentralizimit” të Vatikanit, aq sa këtij ndryshimi iu kushtua edhe seanca e fundit e C9, ashtu si edhe një reflektim i Sekretarisë së Sinodit.

Kujtojmë se duke u kthyer nga shtegtimi në Meksikë, Papa pati folur për  një të re në gjirin e kongregatës, lidhur pikërisht me çështjen e padive për pedofili, për të cilën, në Vatikan, përgjigjet pikërisht Kongregata për Doktrinën e Fesë. Puna shkon përpara, siguron Papa, duke rikujtuar se, pas këshillimit me nëntë kardinajtë, ka vendosur të emërojë një sekretar të tretë në Doktrinën e Fesë, që të merret posaçërisht me këto raste. Ndërkaq nuk e ka nisur ende veprimtarinë seksioni gjyqësor i veçantë për ipeshkvijtë, që nuk kanë reaguar me përgjegjësinë e duhur ndaj padive për shpërdorimet seksuale të klerikëve ndaj të miturve.

Si kreu vizitën në Kongregatën për Doktrinën e Fesë, Papa priti eprorin e përgjithshëm të Fretërve të Vegjël, atë Michael Anthony Perry si dhe regjisorin Franco Zefirelli.








All the contents on this site are copyrighted ©.