2016-03-14 14:27:00

Papa: edukatorët, mjeshtër humaniteti e ndërtues paqeje


Quhet Hanan al Hroub, fituesja e çmimit “Mësuesja botërore 2016”. Mbrëmë, emrin e saj e shqiptoi vetë Papa Françesku në një videomesazh për Forumin e katërt global mbi edukimin, që u mbajt në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Takimi me temë “Përgjegjësi më e madhe kolektive për edukimin publik” u organizua nga Fondacioni Varkey, ent pa qëllim fitimi për përmirësimin e standarteve edukative të të miturve në vështirësi në botë.

“Mjeshtër humaniteti, ndërtues të paqes e të takimit”: kështu i quajti Papa Françesku edukatorët në videomesazhin e tij, në të cilin e falenderoi Fondacionin për mbështetjen, që u jep mësuesve kudo në botë. Ai bashkëpunon me “Scholas Occurrentes”, rrjeti ndërkombëtar i shkollave, lindur në Argjentinë pikërisht me dëshirën e kryeipeshkvit të atëhershëm të Buenos Ajresit, Horhe Mario Bergoljo.

Pastaj, shpallja e çmimit për Hanan Al Hroub. Mësuese palestineze, e rritur në një kamp refugjatësh, Hanan krijoi një metodologji mësimdhënieje, bazuar mbi lojën, për t’i ndihmuar fëmijët e të rinjtë të kapërcejnë gjendje dramatike e për t’i edukuar në favor të paqes. Duke e përshëndetur, Papa Françesku nënvizoi se “fëmijët kanë të drejtë të luajnë e pikërisht një pjesë e edukimit është t’u mësojmë fëmijëve lojën, sepse në lojë kuptohet shoqërizimi dhe gëzimi i jetës”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.