2016-03-12 18:45:00

Papa: pranë atyre që presin verifikimin e shpejtë të gjendjes martesore


Papa Françesku u takua, sot paradite, në Sallën Pali VI, me pjesëmarrësit në kursin e formimit të Rotës Romake, kushtuar procesit të ri martesor dhe procedurës super rato. Masat e reja  në këtë drejtim, tha Papa, tregojnë kujdesin e Kishës për ata besimtarë, që presin verifikimin sa më shpejtë të situatës së tyre martesore.

Gjatë Sinodit kushtuar familjes - kujtoi Françesku - u fol shumë për t’i bërë më të shpejta e më të frytshme procedurat e anulimit martesor.  Shumë besimtarë, në të vërtetë, vuajnë për shkak të fundit të martesës së tyre  e  shpesh i mundon shumë dyshimi nëse është apo jo  e vlefshme. E këta besimtarë, në shumicën e rasteve - vërejti Papa - hasin vështirësi në  përpjekjen për ta ndjekur çështjen në strukturat juridike kishtare dhe kërkojnë që procedurat të thjeshtohen. Mëshira e dhembshuria, përveçse reflektimi mbi përvojën e tyre -  vijoi Papa - e nxitën Kishën të ndjehet  edhe më pranë këtyre bijve të saj dhe të përpiqet ta plotësojë dëshirën e tyre të ligjshme. Kështu, më 15 gushtin e kaluar u shpallën dokumentet Mitis Iudex Dominus Iesus e Mitis et Misericors Iesus, që përmblodhën  frytet e punës së komisionit të posaçëm, themeluar më 27 gusht, me një qëllim thellësisht baritor:

“Për të treguar, kryesisht, kujdesin e Kishës ndaj këtyre besimtarëve, që presin një verifikim të shpejtë të situatës së tyre martesore. Në veçanti, u  shfuqizua vendimi i dyfishtë dhe u krijua procesi i shkurtër, duke vënë në qendër figurën dhe rolin e ipeshkvit dioqezan ose të heparkut, në rastin e Kishave lindore, si gjykatës i çështjeve. U vlerësua, kështu, edhe një herë, roli i ipeshkvit o se i heparkut në çështjet martesore; në të vërtetë, përveç sqarimit me udhë administrative të kurorës së rregullt kishtare, por të pakonsumuar, atyre u takon tani përgjegjësia e udhës gjyqësore për sqarimin e vlefshmërisë së lidhjes martesore”.

Ka rëndësi - sqaroi Papa - që normativa e re të kuptohet e të thellohet  posaçërisht nga veprimtarët e gjykatave kishtare, për t’u bërë familjeve një shërbim drejtësie e dashurie. Pa harruar se për shumë njerëz, që kanë jetuar përvojën e një martese të palumtur, verifikimi i vlefshmërisë ose pavlefshmërisë së martesës përfaqëson një mundësi të rëndësishme. E këta njerëz duhen ndihmuar ta përshkojnë sa më shpejt këtë rrugë. Kisha është Nënë e dëshiron t’u tregojë të gjithëve Fytyrën e Zotit besnik ndaj dashurisë së Tij, plot mëshirë, gjithnjë gati për t’i ridhënë njeriut forcë e shpresë.  

Por ndërsa kujdesemi për të mjekuar plagët e njerëzve, që kërkojnë sqarime mbi të vërtetën e martesës së tyre të dështuar - përfundoi Papa – i shikojmë me admirim ata, të cilët edhe në kushte të vështira, i qëndrojnë besnikë lidhjes së tyre martesore.








All the contents on this site are copyrighted ©.