2016-03-12 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të e Kreshmëve “C”


Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës të dielës së pestë e të fundit të kohës së krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Jemi afër Kremtimit të Pashkës së Jezu Krishtit. Leximet biblike të kësaj së diele janë prelud i procesit të cilit ai do t’i nënshtrohet para se të vdes. Procesi i gruas së zënë në shkeljen flagrante të besnikërisë bashkëshortore përfaqëson, në realitet, procesin kundër Jezusit, për të gjetur një shkas për ta dënuar. Akuzatorët e vet nuk janë të aftë të shohin e të njohin në të “gishtin e Hyjit”, që kaq shpesh “ka hapur udhë në shkretëtirë” drejt lirisë. Jezusi ka ardhur për të shpëtuar, por edhe për të thënë se askush nuk mund të konsiderohet më i drejtë se tjerët, sepse të gjithë jemi shfajësuar falas nga ai.

Kështu, vazhdon edhe këtë të diele udha drejt zbulimit e njohjes së fytyrës përdëllyese dhe zemrës së dhembshur të Hyjit, temë e të dielave të mëparshme të kohës së Krezhmëve, për paraprin e përgatit kremtimin e Pashkëve.

Në udhëtimin drejt Pashkëve, liturgjia e Fjalës, këtë diele, na paraqet takimin e Jezusit me gruan e zënë në shkeljen flagrante të besnikërisë bashkëshortore. Ai ia shtrinë dorën gruas së përulur e të përbuzur për shkak të mëkatit, dhe asaj i jep mundësinë e rilindjes e të rifillimit të jetës së re.

Të ndryshosh e përmirësosh jetën, t’i ndryshosh zakonet, sjelljet… edhe kjo është një eksperiencë njerëzore dhe aspiratë e përhapur. E mirë pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të krezhmëve, ciklit të tretë, na transmeton këtë mesazh: ndryshimi e përmirësimi, risia e jetës është e mundur, sepse është dhuratë që vjen nga Krishti. E ne ta kërkojmë përmes uratës, faljen e tij e, të frymëzohemi vetëm nga dashuria vëllazërore.

Mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së pestë të krezhmëve, mund të dëgjoni emisionin tonë edhe këtu.....

              Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Is 43, 16-21

Populli hebraik ka qenë internuar në Babiloni.  Profeti ka për detyrë t’i kujtojë popullit mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit, i cili ashtu siç kishte çliruar hebrenjtë nga skllavëria e Egjiptit, kështu tani do të çlirojë popullin e tij dhe do ta dërgojë në tokën e vet.  Hyji vetë do të hapë rrugën në shkretëtirën e historisë dhe do të japë shpëtimin.  Ai do të bëhet, në Jezusin, “udha” për çdo njeri. 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën.

Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

 

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

 

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

 

Leximi dytë Fil 3, 8-14

Pali, pas takimit me Krishtin, ka ndryshuar jetën e tij.  Nëse më përpara ndiqte me pasion ligjin dhe burgoste dishepujt e Krishtit, tani ndjek me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin vrull Krishtin.  Ka fshirë gjithçka para syve dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç Krishtit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus.  Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli   Gjn 8, 1-11

Jezusi nuk pohon se mëkati i gruas kurorëshkelëse është një fakt pak i rëndësishëm, në të kundërt i deklaron asaj: tani e tutje mos mëkato më.  Në sytë e Jezusit mëkati është pabesnikëri ndaj dashurisë së Hyjit, por nuk do t’i burgosë njerëzit në mëkatin e tyre, beson në mundësinë e kthimit për secilin prej nesh.  Na thërret në një dashuri të ripërtërirë, përtej egoizmit tonë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.