2016-03-10 11:06:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: fitorja e mëshirës mbi drejtësinë


Në emisionin e kaluar, të dashur dëgjues, ju folëm për veprat e mëshirës në mendimin hebraik. Treguam, me citime nga Shkrimi Shenjt hebraik, se si Zoti e ka menduar që në fillim njeriun për vepra mëshire dhe i ka dhënë misionin për ta plotësuar veprimin krijues të Hyjit, duke u sjellë me dashuri ndaj të gjitha krijesave të tjera e duke treguar mëshirë, për të imituar kështu, Zotin, siç thuhet në Targumin Palestinez (Libri i paraqitjes në aramaisht i Shkrimit Shenjt):

         “O Zot i amshuar –bekuar qoftë Emri yt përgjithmonë e jetës – Ti na ke mësuar ta bekojmë dhëndërrin dhe nusen që nga Adami e çifti i parë, sepse kështu komenton Shkrimi Shenjt: ‘Fjala e Zotit i bekoi dhe u tha Fjalën e Zotit: Rrituni, shumohuni, mbusheni tokën e dominojeni’ e na mësove edhe të vizitojmë të sëmurët, përmes atit tonë Abrahamit, të drejtit, kur iu duke atij në Pllajën e Zbulesës, ndërsa vuante për dhimbjen e rrethprerjes. Na mësove edhe të ngushëllojmë të trishtuarit përmes atit tonë Jakobit, të drejtit… Gjithnjë Ti na mësove të varrosim të vdekurit përmes mësuesit tonë, Moisiut, të cilin e shtiu në dhe Hyji i Shekujve - bekuar qoftë Emri i tij përgjithmonë e jetës”. Midrashi Bereshit Rabba (një nga tekstet e interpretimit të Shkrimit Shenjt) e ripropozon interpretimin targumik, duke shtuar edhe dy vepra të tjera, kryer nga Zoti: zbukurimin e nuseve dhe varrimin e të vdekurve. Aty shkruhet se Zoti bekon bashkëshortët, viziton të sëmurët, varros të vdekurit.

         Pra, sipas traditës rabinike, vepra e parë e mirë është bashkëpunimi që martesa të ketë sukses dhe bekimi i bashkëshortëve, gëzimi e festa për bashkimin e tyre familjar. Në mendimin hebraik, vepër mëshire nuk është vetëm ndihma për nevojtarët, por edhe pjesëmarrja në gëzimin e të tjerëve.

         Imitimi i Zotit është ideali drejt të cilit duhet të shkojë njeriu, gjatë jetës së vet, Në dashurinë e tij të madhe, Zoti nuk i ka dhënë njeriut vetëm urdhërime, por, Ai vetë i ka treguar me shembuj rrugën për t’u ndjekur. Vërtet, shkruhet: “Zakoni i mbretit njerëzor është të bëjë një dekret: nëse dëshiron t’i bindet ai vetë, e bën këtë, përndryshe, i binden të tjerët. Me të Shenjtërueshmin, bekuar qoftë, ndodh ndryshe. Kur bën një dekret, Ai vetë e zbaton i pari; siç është shkruar: ‘Ngrehu në këmbë para flokthinjurit e nderoje njeriun e vjetër, druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti’ (Lv 19,32): Unë jam ai, që zbatoi i pari rregullin për t’u çuar në këmbë para flokëve të bardhë” (Lev. R. XXXV,3).

         Thelbi i mësimit talmudik qëndron në imitimin e Zotit, sepse prej tij rrjedh jeta e drejtë, miratuar prej Krijuesit. Mëshira Hyjnore është e lidhur ngushtë me drejtësinë dhe nuk mund të ndahet prej saj. Kjo lidhje interpretohet kështu nga Midrashi: “Mund të krahasohet me rastin e një mbreti, që i kishte rrëshiqat bosh. Tha: ‘Nëse i mbush me ujë shumë të nxehtë, do të plasin; nëse i mbush me ujë të akullt, do të tkurren’, Atëherë, ç’bëri mbreti? Përzjeu ujin e vluar me të ftohtin dhe me të mbushi rrëshiqat, të cilët mbetën ashtu siç ishin. Kështu i Shenjtërueshmi, bekuar qoftë, tha: ‘Nëse e krijoj botën vetëm me tiparin e mëshirës, mëkatet do të shumëfishohen përtej çdo kufiri; nëse e krijoj vetëm me drejtësi, si mund të qëndrojë bota e të ruhet? Atëherë, do ta krijoj me të dyja tiparet; e kështu, mund të zgjasë!” (Gen. Rabba XII, 15).

        Drejtësia e Zotit shtrihet mbi të gjithë njerëzit, si mbi të drejtët, ashtu edhe mbi keqbërësit. Hyji është gjykatësi i Gjithësisë, por dijetarët e Ligjit e quajnë “Rachmana”, pra, “i mëshirshmi”, sepse e gjykon botën përmes Hirit. Me të vërtetë, Zoti ndërhyn në favor të njeriut me mëshirë e brenda kufijve të drejtësisë së nevojshme: “Për tri orë në ditë, i Shenjtërueshmi, bekuar qoftë, ulet e gjykon botën mbarë. Kur sheh se bota e meriton të shkatërrohet për shkak të mbizotërimit të së keqes, ngrihet nga froni i drejtësisë e ulet në fronin e mëshirës” (Avodah Zarah, 3b).

         Fitorja e mëshirës mbi drejtësinë i ka dhënë mundësi botës të ekzistojë, pavarësisht nga mëkati: “Dhjetë breza kaluan, nga Adami tek Noehu, për ta bërë të njohur sa e madhe është toleranca e Zotit, sepse të gjitha brezat vazhduan ta provokonin, para se Ai të derdhte mbi ta ujrat e përmbytjes universale” (Aboth, v.2).

         Në emisionin e ardhshëm, do të vijojmë të shqyrtojmë si duhet të jenë veprat e mëshirës, ato që Zoti i ka vënë në  jetë i pari në marrëdhëniet e tij me njeriun, duke ia mësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.