2016-03-09 15:30:00

Vlerat që themelojnë Evropën në një dokument të Komisionit të ipeshkvijve evropianë


Ipeshkvijtë evropianë janë duke punuar në një raport, që do të publikohet deri në fund të marsit, me të cilin synojnë të japin një kontribut për përcaktimin e një strategjie globale të Bashkimit Evropian në sektorin e politikës së jashtme e të sigurisë së përbashkët.

Kështu lexohet në një deklaratë në përfundim të mbledhjes plenare të Komisionit të ipeshkvijve të Komunitetit evropian (Comece), që u mbajt këtyre ditëve në Bruksel, gjatë së cilës është emëruar sekretar i ri i përgjithshëm, atë Olivier Poquillon, e dy zëvendëspresidentë ndihmës: ipeshkvi i Kopenhagës, Czeslaw Kozon, e ipeshkvi i Vilkavishkis, Rimantas Norvila.

Dokumenti i përmendur, me titullin “Vokacioni i Evropës për promovimin e paqes në botë”, përgatitët bashkërisht  nga sekretariati i Komece-s e nga komisioni Drejtësi e paqe Evropa dhe përmban rekomandime konkrete që kanë të bëjnë me emergjencat kryesore të kohës sonë, nga menaxhimi i flukseve të emigrantëve, te kundërshtimi i terrorizmit fundamentalist e deri te politikat për zhvillimin e vendeve më të varfra. Dokumenti i ipeshkvijve evropianë do t’i transmetohet Shërbimit evropian për nismat e jashtme, koordinatorit të përfaqësuesit të Lartë Federica Mogherinit.

Vetë Mogherini, gjatë punimeve të plenares së ipeshkvijve evropianë, “nënvizoi – pohon deklarata – se dialogu dhe pajtimi në nivelin kombëtar e rajonal janë thelbësor e të domosdoshëm për edukimin dhe rivendosjen e paqes”. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së vlerëson “rolin kyç të Kishave në parandalimin e radikalizimit” dhe shpreh dëshirën për të dialoguar mbi këto tema me komunitetet fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.