2016-03-09 00:00:00

Vatikan. Vigano: sa thashetheme e sa zili në këtë botë


Gjarpri, që i tundoi të parët tanë, Adamin e Evën, e që u bë shkaktar i dëbimit të tyre nga parajsa tokësore, i kishte shoshitur mirë llogaritë: “Nuk donte që ata të kishin, çka ai nuk e kishte”. E nënvizon imzot Dario Edoardo Viganò, prefekt i Sekretarisë për Komunikimin, në një koment, botuar në gazetën “Avvenire”.

“Ja, pra, shkruan Viganò, fryti i thashethemeve, i përgojimit, i shpifjes dhe i spiunimit: një turmë humbësish e të trishtuarish, plot mllefe, deri në atë masë, sa të mos mund të durojnë as farëzën e së mirës së mundshme”.

Sa thashetheme! Sa zili! E gjëja më e keqe, sipas imzot Vigano-së, e siç duket qartë nga fjalimet e vazhdueshme të Papës Françesku, është se shterpësia e thashethemeve nuk e shqetëson më aspak ndërgjegjen. Të krijohet ideja se përgojuesit e spiunët sillen si i djemnuemi i Gerasenit që, duke jetuar ndërmjet varresh, në mes të duhmës së qelbur, në shoqëri të përhershme me vdekjen, kur shikon se po vjen Jezusi, e pyet: “Ç’ kërkon nga unë, Jezus, Bir i Zotit të tejetlartë?”.  Si të donte t’i thoshte: “Më lerë të qetë në kalbësirën e ndërgjegjes sime të zhubravitur e të lidhur me zinxhirë”.

Përgojuesi, ashtu si njeriu i pushtuar nga djalli, nuk dëshiron ta përdorë lirinë e tij në veprime të kryera nën dritën e diellit. Jo! I pëlqen terri i acartë i varreve, në vend të gëzimit të ylbertë të vëllazërisë. E nuk i mungon aspak kompetenca fetare, pikërisht si njeriut të pushtuar nga djalli,  që e njeh Jezusin deri në atë pikë, sa ta quajë me plot gojën “Bir i Zotit të tejetlartë”. Shprehje, kjo, që në gojën e tij nuk është simfoni, por parodi e vëllazërisë.

E reflektimi kushtuar thashethemeve, përfundon me termat e pushtetit: “Nëse i shkaktoj tjetrit një humbje, domethënë se nuk dua që tjetri  të gëzojë atë, që  nuk munda ta gëzoj vetë, qoftë send ose detyrë. E atëhere do të jetë njëlloj si unë”

Me komunikimin, përfundon meshtari, vihen në jetë praktika si rumors, domethënë lajme të bujshme, që qarkullojnë me ngulm, në formë konfuze, e që përfundojnë, pastaj, me thashetheme, shpifje e spiunime, përmes strategjive të vërteta komunikative, të cilat synojnë të fitojnë miratime,  për t’i përfshirë apo për t’i përjashtuar njerëzit nga grupet shoqërore.

Sa e sa herë njerëz, që dhanë jetën për ideale ose vdiqën në mënyrë të natyrshme, vijojnë të gjuhen me gurin më të rëndë, që ekziston në botë:  gjuhën! Në këtë rast nuk ka vend për asnjë mëdyshje: “Nëse flet keq për vëllain, e vret vëllain. E sa herë që e bën këtë, ecën në gjurmët e Kainit, vëllavrasësit të parë. Atij i përngjan!”. Papa Françesku na e kujton pambarimisht mëkatin e thashethemeve, ndoshta edhe pse është nga më të përhapurit e, prej këndej, edhe nga mëkatet më të vështira për t’u luftuar e për t’u mundur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.