2016-03-09 16:17:00

Dom Zef Gila, meshtar, dëshmitar i fesë, në përvjetorin e vdekjes


Dom Zefi lindi në fshatin Razëm më 23 korrik 1916. Që i vogël u dallua për zgjuarësi, prandaj prifti famullitari i fshatit të lindjes i krijoi mundësitë të shkollohej, së pari në argjipeshkvinë e dioqezës së Shkodrës.

Më pas, si kishte shprehur dëshirën t’ia dhuronte gjithë jetën Zotit e të afërmit, në Seminarin Papnor të Qytetit të Veriut e studimet filozofike e teologjike në Universitetin Papnor Urbanian të Propaganda Fides në Romë.

Si u shugurua meshtar në Romë, më 24 shtator 1941, u kthye menjëherë në Atdhe. E nisi misionin meshtarak në Shkodër, në Beltojë e në Kukel, ku qëndroi 11 vjet. U arrestua nga regjimi komunist në maj të vitit 1950. Si kaloi një vit të tërë në hetuesi, më 1951 u internua në Tepelenë, Vlorë e Tiranë.

I liruar në fund të vitit 1954, vijoi misionin meshtarak deri më 1967 (kur u mbyllën kishat e tempujt fetarë nga diktatura komuniste) në fshatrat Beltojë, Trush, Bushat.

Pikërisht në Bushat u rikthye, pas 24 vjet pune të rëndë krahu, për të hapur Kishën dhe për të kremtuar Eukaristinë – praninë e mistershme e reale të Krishtit në shenjat e bukës e të verës, e kështu për të marrë përsëri në duart e plasaritura nga kazma, kelkun e shenjtë me Korpin dhe Gjakun e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Para se të vdiste, dom Zef Gila pati fatin të takohej me Papën Gjon Pali II në Shkodër më 25 prill 1993 e në Romë, ku u rikthye për t’u gjunjëzuar në shenjë falënderimi, atje ku pati nisur së pari rrugën e meshtarisë. Vdiq më 9 mars 2000.








All the contents on this site are copyrighted ©.