2016-03-08 15:08:00

Dioqeza e Sapës kujton 70 vjetorin e martirizimit të klerit shqiptar


70 vjetori i martirizimit të klerit katolikë nga regjimi komunist në Shqipëri, u përkujtua me kremtimin e Meshës në Kishën e shën Shtjefnit në Blinisht.Kremtimi u bë në përkujtim të 70 vjetorit të pushkatimit të klerikëve, Atë Daniel Dajani, Atë Gjon Fausti dhe seminaristi Mark Çuni. Më hollësisht nga Vau-Dejës na njofton Violeta Marashi..

PËRVJETORI I 70-TË I MARTIRIZIMIT

70 Vjetori i Pushkatimit të Atë Daniel Dajanit & Atë Gjon Fausti 4 mars 1946 - 2016

Ditët e para të marsit 2016, famullia e Shën Shtjefnit në Blinisht zhvilloi kremtimet në përkujtim të 70 vjetorit të pushkatimit të klerikëve, Atë Daniel Dajani, Atë Gjon Fausti dhe seminaristi Mark Çuni, të cilët u akuzuan nga regjimi komunist i kohës si organizatorë dhe pjesëmarrës në organizatën “Bashkimi shqiptar” Gjatë këtyre ditëve u mbajtën lutje e adhurim në çdo fshat të kësaj famullie. Ndërsa në vigjilje të këtij përvjetori, besimtarët e të gjashtë fshatrave u mblodhën në qendrën e famullisë për të kujtuar e nderuar figurën e lavdishme të martirëve, e ndritur me gjakun e tyre.

Në këtë vigjilje, me ftesë të famullitarit don Enzo Zago, Arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra mbajti ligjëratën mbi “Kanonizimin e martirëve Shqiptarë, historinë dhe domethënien”. Ndërsa përcolli edhe lajmin që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë gjatë këtij viti të përmbyllë procesin e martirizimit të martirëve shqiptarë dhe të shpallen të Lumturit e Kishës Katolike.

Duke kujtuar martirët, u shfaq edhe filmi-dramatizim mbi jetën dhe veprën e meshtarëve të pushkatuar, realizuar nga seminaristat e Seminarit Ndërdioqezan të Shkodrës, Zoja e Këshillit të Mirë.

Në ditën e 4 marsit, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini kremtoi meshën shenjte, përmes së cilës kujtoi se, kjo ditë është një dhuratë e mirësisë dhe dashurisë së Zotit ndaj nesh falë punës dhe sakrificave të meshtarëve dje dhe sot. Kujtojmë martirët tanë tha ai, të cilët dhanë jetën e tyre duke dëshmuar besimin në Krishtin, dashurinë dhe faljen ndaj armiqve.

Teksa vazhdoi homelinë e rastit, Imzot Lucjani solli disa fjalë të kujtimit të Atë Daniel Dajanit, i cili i rezistoi çdo vuajtjeje dhe poshtërimi, saqë e dha jetën për Krishtin. Duke kujtuar Atë Dajanin, nuk mund të mos kujtojmë edhe Atë Giovanni Faustin dhe seminaristin Mark Çunin, pohoi ipeshkvi, të cilët, sipas dëshmitarëve që e përjetuan ngjarjen e 4 marsit të vitit 1946, do të dëshmonin: “po udhëtonin në kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit në qyetetin e Shkodrës. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra. Udhëtonin të qetë drejt amshimit.

Ashtu të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku gërshetoheshin zhguna e veledona, rregulltarë e besimtarë, puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit. Para pushkatimit Atë Fausti do të thoshte: “Jam i lumtur që po vdes në krye të detyrës sime. Rrnoftë Krishti Mbret. Atë Dajani do të thoshte: “I fali ata që më kanë ba keq”! Po kështu edhe Mark Çuni. E pasi i pushkatuan, të tre u rrëzuan duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte lagur prej shekujsh. 








All the contents on this site are copyrighted ©.