2016-03-08 12:35:00

Atë Ronchi: Kisha të mos ndezë drita mbi veten, por mbi Krishtin


Kisha duhet të dijë të mënjanohet, sepse në kumtin e saj duhet të shkëlqejë gjithnjë fytyra e Zotit e jo tjetër. Kështu tha sot atë Ermes Ronchi, në ditën e tretë të ushtrimeve shpirtërore, që rregulltari servit po predikon për Papën Françesku dhe për Kurien Romake, në shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, pranë Romës. Atë Ronchi mori shkas nga pjesa ungjillore, në të cilën shën Pjetri dëshmon fenë e tij në Krishtin.

“E ju, kush thoni se jam unë?”

         Njëlloj si në heshtjen e vendit, ku Jezusi ishte mbledhur me dishepujt e vet, edhe në heshtjen e Ariccia-s, tingëlloi pyetja, që duket si sondazh për të ditur opinionin e të tjerëve: “Njerëzit, çfarë thonë: kush jam unë?”. E pastaj, atë Ermes Ronchi theksoi atë “E ju…”, që Jezusi u vë përpara dishepujve: “E ju, kush thoni se jam unë?”. Një mënyrë për t’u bërë të qartë të vetëve të mos mjaftohen me çfarë thonë të tjerët, sepse feja nuk është me të dëgjuar:

         “Përgjigjja, që kërkon Jezusi, nuk është me fjalë. Ai kërkon njerëz. Jo përkufizime, por emocione: çfarë të ka ndodhur, kur më ke takuar? Jezusi është mjeshtër i zemrës, Jezusi nuk jep leksione, nuk sugjeron përgjigje, të udhëheq me delikatesë për të kërkuar brenda vetes. E unë do të doja të përgjigjesha: takimi me Ty ka qenë fati më i madh në jetë! Ti je gjëja më e mirë, që më ka ndodhur”.

Krishti është “biri i Hyjit të gjallë”

         “Kush jam unë për ty?” është pyetje “të dashuruarish”, vërejti predikatari. E të bën përshtypje fakti që Jezusi nuk indoktrinon askënd. Dishepujt nuk duhet të kenë frikë e s’ka nevojë të japin përgjigje standart për atë pyetje. “Nuk ka asnjë lloj Besojme për t’u hartuar”, pohoi atë Ronchi. Jezusit i intereson të dijë nëse të vetët ia kanë hapur zemrën. Të pohosh, ashtu siç bën Pjetri, se Krishti është “biri i Hyjit të gjallë” përbën një të vërtetë, e cila ka kuptim vetëm nëse Krishti “është i gjallë brenda nesh”. “Zemra jonë – theksoi rregulltari – mund të jetë djepi, ose varri i Zotit”:

         “A doni të dini diçka për mua, thotë Jezusi, e njëkohësisht, diçka për vetveten? Po ju jap një takim: një njeri në kryq. Dikush, i vendosur lart. E akoma më parë, të enjten, takimi me Krishtin do të jetë një tjetër: dikush, i vendosur poshtë. Që ngjesh një peshqir në brez e përkulet për t’u larë këmbët të vetëve… Ka të drejtë shën Pali: krishterimi është shkandull e marri. Tani e kuptojmë kush është Jezusi: është puthje për atë, që e tradhton. Nuk bën copë-copë askënd, thyen vetveten. Nuk derdh gjakun e askujt, derdh gjakun e vet. Nuk flijon askënd, flijohet vetë”.

“Prozhektorë” për Krishtin

         Deri në çastin e asaj pyetjeje, bërë në heshtje, dishepujt nuk e kishin kuptuar akoma ç’do t’i ndodhte Mësuesit të tyre. Prandaj, Jezusi është i prerë kur u thotë të mos u tregojnë asgjë njerëzve. Urdhër i rreptë, nënvizoi atë Ronchi, që arrin deri në Kishën e sotme, sepse shpesh “kemi predikuar një fytyrë të deformuar të Zotit”. Ne, njerëzit e Kishës, vërejti rregulltari servit, dukemi të gjithë njëlloj – të njëjtat gjeste, të njëjtat fjalë, të njëjtat veshje. Por njerëzit duan të dinë përvojën e fesë së secilit, sepse Krishti nuk është dikush për të cilin flasim, por dikush, të cilin e jetojmë. “Nuk jemi ne, ndërmjetësit e Zotit me njerëzimin, ndërmjetësuesi i vërtetë është Jezusi”, përfundoi atë Ronchi. Ashtu si shën Gjon Pagëzuesi, duhet ta përgatisim rrugën e pastaj, të mënjanohemi:

         “Mendoni sa e bukur është një Kishë, që nuk i ndez dritat mbi vetvete, por mbi një Tjetër. Ne kemi akoma shumë rrugë për të bërë! …Jezusi nuk thotë “merre kryqin tim”, por tëndin, secili të vetin… Ëndërra e Zotit nuk është një radhë e stërgjatë me burra, gra e fëmijë, secili me kryqin e vet në shpinë, por një radhë njerëzish, që ecën drejt jetës së mirë, të gëzuar e krijuese. Një jetë, që ka çmimin aspak të ulët të impenjimit e të këmbënguljes. Por një çmim, që është edhe i ëmbël, plot dritë: ‘të tretën ditë do të ringjallet!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.