2016-03-08 11:24:00

8 marsi: Papa dhe kontributi i grave në Kishë


"Papa është njeri, Papa ka nevojë për mendimin e grave. Edhe Papa ka një zemër, e cila mund të ketë një miqësi të shëndoshë e të shenjtë me një grua”. “Por gratë janë akoma pak si… nuk merren aq shumë në konsideratë, jo krejtësisht. Nuk e kemi kuptuar mirë se një grua mund ta ndryshojë jetën e priftit e të Kishës, duke i dhënë një këshillë, një ndihmë, me miqësi të siqertë”. Kështu thoshte Papa Françesku në avionin, që e çonte nga Roma në Ciudad Juarez të Meksikës.

Ishte 18 shkurti i këtij viti, por problemi i vlerësimit të vërtetë të gruas në jetën e Kishës është trajtuar që para zgjedhjes së Françeskut në fronin e Shën Pjetrit e bënte pjesë në temat e diskutuara në mbledhjet e kardinajve para Konklavit që e zgjodhi. Gjithashtu, këtë argument e kishte për zemër edhe Papa Benedikti XVI. Në këtë 8 mars, na vijnë ndërmend pikërisht fjalët kyçe të Papës Bergoglio, që përvijonte rolin e grave në Kishë: “mendimi i gruas”, “këshilla”, “ndihma”, “miqësia”. E njëkohësisht lexojmë një analizë të propozuar nga revista e njohur romake e jezuitëve, “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), për figurat femërore në tregimet biblike.

“Zakonisht – shkruan revista, së cilës i duhet njohur puna e vazhdueshme dhe e konsoliduar për thellimin në mendimin e në magjisterin e papës së parë jezuit në histori – tregimet biblike lexohen si shkrime nga këndvështrimi i burrave”. Rolet kryesore i luajnë protagonistë meshkuj si patriarkët, judenjtë, mbretërit, profetët. “Në të vërtetë – vëren atë Vincenzo Anselmo, që nënshkruan artikullin – gjenia femërore është e pranishme në mënyrë krijuese në faqet e Shkrimit Shenjt”, i cili nuk tregon thjesht një histori patriarkale. Në çastet vendimtare të tregimit biblik, gratë ndërhyjnë në mënyrë përcaktuese, duke zgjidhur nyjet e rrugës në historinë e shëlbimit të Popullit të Zotit.

Revista “Civiltà Cattolica” shqyrton tregimet biblike, që flasin për Rebekën, gruan e Isakut, e cila arrin t’ia heqë Esaut mundësinë për t’u konsideruar i parëlinduri, pra trashëgimtari, duke ia dhënë atë Jakobit, djalit të vogël. Pastaj, Betsabea, nëna e princit të ri Salomon, që e fiton mbretërinë për të, në dëm të bijve të gruas së parë të Davidit. E më tej, gruaja siro-fenikase, pra e huaj në Izrael, që arrin t’ia ndryshojë mendjen Jezusit dhe e nxit të shërojë edhe paganët.

Të trija këto figura femërore, nënvizon revista e jezuitëve, luajnë një “rol qendror” në narrativën e Besëlidhjes së Vjetër e të Re, duke u vendosur në pika kyçe ndërmjet brezave, ose duke shkaktuar një ndryshim cilësor në rrugën e protagonistëve.

Rebeka është një “matriarkë, që duket se i lëviz të gjithë personazhet e tjerë si të ishin gurë shahu”, ka lirinë për “të vendosur e për të interpretuar orakullin siç ia do zemra” e, ashtu si shumë gra të tjera në Bibël, nuk mjaftohet me një jetë normale, në një qoshe të shtëpisë, por reagon ndaj botës së meshkujve, duke marrë në dorë fatin e vet e madje, edhe atë të kombit.

Betsabea “nuk kufizohet të përsërisë fjalët dhe sugjerimet e profetit, por i pasuron me mjeshtëri e finesë të madhe, ndërhyn drejtpërdrejt tek mbreti” për ta favorizuar Salomonin e më pas, “bëhet protagoniste e fazës së konsolidimit të mbretërisë së të birit”. Si Rebeka, ashtu edhe Betsabea, nënvizon revista “Qytetërimi Katolik”, janë gati si ta marrin skenën për vete, ashtu edhe t’ua lënë atë të tjerëve, pasi kanë dhënë kontributin e tyre.

Gruaja siro-fenikase shënon madje një kthesë të rëndësishme “drejt misionit të Krishtit të Izraelit në botën pagane”. Para se ta takonte, Jezusi vepronte në Galile e i fliste Izraelit, ndërsa pas takimit me këtë grua, shëron edhe paganët. Feja e guximi i saj çmohen nga Jezusi, i cili i shëron të bijën, por ç’është më e rëndësishme, siç theksohet në revistën e jezuitëve, “në rajonin pagan të Tiros e të Sidonës, Jezusi, izraelit i vërtetë, kapërcen një barrierë shoqërore, gjeografike dhe fetare drejt pjekurisë së misionit të tij universal”.

Pra, gratë e Biblës nuk janë aspak “figurante”, por vendosmërisht të pranishme në udhëkryqet e rëndësishme të historisë, duke vënë në lojë karakteristikat për të cilat dallohen, si “liria, zgjuarësia, vendosmëria, dashuria”. Janë gra, që përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve drejt horizonteve të reja. Gra e, madje, njëra e huaj, të cilat janë me të drejtë, protagoniste të “udhës” se popullit në kërkim të shëlbimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.