2016-03-07 14:19:00

Ushtrimet shpirtërore: Zoti është gëzim, po ne e bëjmë të vdesë nga mërzitja ndër kisha


Për Papën dhe Kurien Romake filluan, dje mbasdite, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor të Ariccia-s-, Ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve. Meditimet i udhëheq meshtari friulan, atë Ermes Ronchi, i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë. Ushtrimet, që do të përfundojnë të premten e ardhshme, u hapën me adhurimin eukaristik.

Pyetjet e Jezusit janë emri tjetër i pendesës

“Pyetjet pa doreza të Ungjillit”  është tema e meditimeve. Pyetja e parë e rregulltarit ishte “Jezusi, kur e pa se po e ndiqnin, u kthye e i pyeti: ‘çka kërkoni?’”.  Propozimi për këto ditë, që do t’i kalojmë së bashku - vijoi ati servit - është të ndalemi e ta dëgjojmë Zotin e pyetjeve: nuk do të vijojmë ta pyesim, por do ta lëmë të na pyesë. E, në vend që të vrapojmë për të gjetur përgjigjen, duhet të ndalohemi, për t’i jetuar thellësisht pyetjet, pyetjet e drejtpërdrejta, pa doreza, të Ungjillit. Duhet t’i duam pyetjet. Ato janë zbulesa. Pyetjet janë emri tjetër i pendesës, i kthesës së madhe kah Zoti.

Pyetjet të bëjnë për vete e të lënë të lirë

Jezusi - tha atë Ronchi  - edukon në fe përmes pyetjeve, shumë më tepër se përmes pohimeve. Në të katër Ungjijtë – vijoi - Zoti bën 220 pyetje. Pyetja është komunikim pa pikë dhune, nuk e detyron tjetrin të heshtë, por rilidh dialogun me të, e tërheq, e njëkohësisht e lë të lirë. Vetë Jezusi është  pyetje! Sepse jeta e edhe vdekja e Tij na bëjnë të meditojmë për kuptimin e  fundit të sendeve, na bëjnë të pyesim veten për rrugët, që duhen ndjekur në kërkim të lumturisë. E përgjigjja mbetet gjithnjë Ai.

Pasioni për Zotin lind nga zbulimi i bukurisë së Krishtit

Jezusi, vijoi rregulltari, kërkon të dijë cila është dëshira ime më e madhe: “Nuk më kërkon vetëm flijime, nuk më kërkon të flijohem mbi elterin e detyrës a të mundimit, kërkon, para së gjithash, të më hyjë në zemër, të  njohë dëshirat e mia, të kuptojë ç’më bën të lumtur”.  Të kërkosh lumturinë, do të thotë të kërkosh Zotin, e “afshi për Zotin”- shpjegoi atë Ermesi - lind nga zbulimi i bukurisë së Krishtit. Zoti nuk më tërheq sepse është i gjithëpushtetshëm; nuk më josh, sepse është i amshuar e i përsosur, por më tërheq me fytyrën e me historinë e Krishtit, njeriut me jetë të mirë, të lume, të lirë, me dashuri aq të madhe, sa s’mund ta ketë askush tjetër. Ai është lajmi i gëzuar, që thotë:  “Mund të jetojnë më mirë të gjithë. E kyçin mud ta gjeni në Ungjill. Ungjilli e ka”.

Emti i Zotit është gëzim, liri, përsosuri

Fe do të thotë të kërkosh një Zot me zemër të ndjeshme, që e bën shpirtin të lumtur. Zotin, që e ka emrin gëzim, liri, përsosuri. Zoti është i bukur, na takon ne të kumtojmë një Zot të bukur, të dëshirueshëm, interesant. Ndoshta – shtoi - jemi ne vetë që e kemi varfëruar fytyrën e Zotit, madje nganjëherë e kemi katandisur në mjerim, e kemi  shtyrë të rrëmojë në të kaluarën e në mëkatin e njeriut. Ndoshta një Zot që nderohet e adhurohet, por që nuk është ai, që të tërheq e tërhiqet prej të bijve, që qesh e luan me ta”.

Zoti mund të vdesë nga mërzitja në kishat tona, t’ia rikthejmë fytyrën e tij diellore

Çdo njeri, përfundoi atë Ronchi - kërkon atë Zot, që e tërheq fort. Zoti mund edhe të vdesë nga mërzitja në Kishat tona. T’ia rikthejmë fytyrën e tij diellore, të kënaqemi me Të, ta dëshirojmë. Do të ishte si të shuanim etjen në burimet e dritës, buzë  honit të pafundësisë. Ç’kërkoni? Për kë shtegtoni? Kërkoj një Zot të dëshirueshëm, e shtegtoj për një Zot, që e bën zemrën të lumtur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.