2016-03-07 18:30:00

Imzot Bregantini: me Françeskun, sinodalitet nga katedra, në rrugë


Tri vjet me Françeskun! Të dielën e ardhshme Papa Bergoglio mbush tri vjet në Katedrën e Shën Pjetrit. Edhe këtë vit të tretë, Françesku e jetoi me një veprimtari jashtëzakonisht të dendur. Nga Sinodi për Familjen, tek Enciklika “Lëvduar qofsh”, nga shtegtimet apostolike, tek Jubileu i Mëshirës, Papa vijon të ecë në rrugën, të cilën e përvijoi qysh atë natë, kur u zgjodh: udhën e Bariut, që ecën së bashku me popullin e vet drejt takimit me Zotin. Por, ta dëgjojmë imzot Bregantini-n, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Gjëja, që e kam vlerësuar jashtëzakonisht shumë, është Enciklika “Lëvduar qofsh”, dokument me vlerë shumë të madhe e, njëkohësisht, thellim i mëtejshëm i Evangelii gaudium, edhe pas fjalimit të tij, shkruar me dorë mësuesi, mbajtur në Firence, në kuvëndimin kishtar italian. Pastaj, në planin  faktik, përvoja e mrekullueshme e mëshirës, që nis e jetohet e të cilën, të dielën e kaluar, me shëmbëlltyrën e atit të mëshirshëm, e rishijuam thellësisht e thamë: “Faleminderit këtij Pape, që na bëri të shikojmë se nuk është shëmbylltyrë e lashtë, por fjalë e thënë për ne, sot!” Një element tjetër, i treti, është përvoja e shtegtimeve të tij.

Pyetje: - Mëshira është paksa si lente, përmes së cilës mund ta shikojmë edhe më nga afër të gjithë veprimtarinë e Françeskut?

Përgjigje: - Po, sigurisht. E ndjejmë lenten, që natyrisht nuk është e ngrirë, e ftohtë, por është ngrohtësi diellore, që nxen gjithë botën e sotme. Nëse nuk do ta kishim mëshirën, si do të mund të flisnim për Libinë, për Sirinë e për zhvillimet aq të ndërlikuara të Evropës, për të cilën lutemi sot, që të mos ngrejë përsëri mure, por të fillojë e të arsyetojë me termat e mëshirës.

Pyetje: - Papa Françesku pohon shpesh nevojën e një Kishe sinodale, një Kishe, që e jeton “bukurinë e të ecurit bashkë”. Sipas jush, çfarë pasojash mund të ketë ky vizion i Papës për jetën e Kishës?

Përgjigje: - Besoj se do jetë madhështor, e ne po përgatitemi në dioqezat tona. Inkurajimi, që na dha Papa, posaçërisht mënyra si e dha – që nuk është edhe aq dokument, studim i bërë enkas, për të hyrë në sintoni me priftërinjtë, me besimtarët, me të varfërit, me Krijimin - me thirrjen e tij, kalon nga  sinodaliteti i katedrës, në sinodalitetin “e rrugës”, siç e tregon vetë fjala e tij origjinale. Kjo i ktheu ngjarjes së madhe të Sinodit në dioqeza jo më diçka vigane, që prodhon vëllime të trasha, por buzëqeshjen, ledhatimin, shoqërimin, për të cilin kemi vërtet nevojë. Këtu hyn fjala “të nxitësh”, fjala “nxitje”; nuk mund të shoqërosh, pa nxitur, e nga nxitja vjen, pastaj, edhe shoqërimi. Një nga shenjat, që do të ketë ndikim në rritje, është  reforma e gjykatës dioqezane për vërtetimin e anulimit të çështjeve martesore. Hap i ri përpara, ky, për afrimin e besimtarëve me ipeshkvin, të familjeve me bashkësinë, që e vë gishtin në plagë, për ta shëruar. E kështu ti e ndjen vërtet në shpirt se mëshira, edhe juridikisht, bëhet një fytyrë të re: “Misericordiae Vultus”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.