2016-03-07 14:10:00

Atë Ermes Ronchi: Kisha t’i çlirojë besimtarët nga frika


Dita e dytë e ushtrimeve shpirtërore për Papën dhe Kurien Romake, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, pranë Romës. Meditimet kreshmore, udhëhequr nga atë Ermes Ronchi, i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë (servitët), përqendrohen në pyetjet e Ungjillit. Sot paradite, komentoi fragmentin ungjillor, që flet për fashitjen e stuhisë detare nga Jezusi. Gjatë saj, Mësuesi Hyjnor i pyet dishepujt: “Pse keni frikë? Po a ende nuk besoni?” (Mk 4,40).

Frika është mungesë besimi në Zotin

“Frika e feja – pohoi atë Ermes Ronchi – janë dy antagonistë, që luftojnë përherë në zemrën e njeriut. Fjala e Zotit, nga fillimi në mbarim të Biblës, ngushëllon e nxit, duke përsëritur pambarimisht: mos ki frikë!”.  Frika – nënvizoi – nuk është aq mungesë guximi, sa “mungesë besimi”. Është frikë nga Zoti, sepse kemi në kokë një imazh të gabuar për Të, si Adami e Eva që besojnë në “një Zot që merr e jo në një Zot që jep”:

“Besojnë në një Zot që vjedh liri, në vend që të ofrojë mundësi; besojnë në një Zot për të cilin është më i rëndësishëm ligji, se sa gëzimi i bijve të vet, një Zot me vështrim gjykues, prej të cilit duhet të ikim në vend që të vrapojmë për ta takuar; në fund të fundit, një Zot, tek i cili s’duhet pasur besim. I pari i të gjitha mëkateve është mëkati kundër fesë. Nga imazhi i gabuar për Zotin lind frika e të gjitha frikave: nga fytyra e një Zoti të frikshëm rrjedh zemra e frikësuar e Adamit. E të dy, Jezusi erdhi t’i mbushë me dritë, me diell”.

Zoti nuk na shpëton nga kryqi, por përmes kryqit

Kemi frikë nga stuhia, kur ndjehemi të braktisur e kur “Zoti duket sikur fle”, ndërsa “ne do të donim të ndërhynte menjëherë”. Në të vërtetë, Ai ndërhyn, është aty me ne:

“Zoti nuk vepron në vendin tonë, nuk na largon nga stuhitë, por na mbështet brenda stuhisë. Më ndihmon shumë kjo frazë e Bonhoeffer-it: Zoti nuk na shpëton nga vuajtja, por përmes vuajtjes, nuk na mbron nga dhimbja, por përmes dhimbjes, nuk na shpëton nga kryqi, por përmes kryqit… Zoti nuk na ofron zgjidhjen e problemeve tona, na ofron vetveten e duke na dhuruar vetveten na jep gjithçka. Mendonim, ndoshta, se Ungjilli do t’i zgjidhte problemet e botës, ose, së paku, do t’i pakësonte dhunën e krizat në histori, por nuk është kështu. Madje, Ungjilli ka sjellë me vete refuzim, persekutim, kryqe të tjera: të mendojmë për katër motrat [e Nënë Terezës] vrarë në Aden”.

Kisha, për një kohë të gjatë, ka transmetuar një fe frike

 “Jezusi – vërejti atë Ermes Ronchi – na mëson se ka një mënyrë të vetme për të fituar mbi frikën: është feja!”. E misioni i Kishës, edhe brenda saj, është t’i çlirojë njerëzit nga frika, që na bën të vemë maska të ndryshme, me familjarët, me bashkëpunëtorët, me eprorët. Kush e transmeton fenë duhet t’i edukojë të tjerët të mos kenë frikë, të mos shkaktojnë frikë e t’i çlirojnë njerëzit nga frika:

“Për një kohë të gjatë, Kisha ka transmetuar një fe të mbrujtur me frikë, që lëvizte rreth paradigmës faj/dënim, në vend të asaj lulëzim/begati. Frika lindi në Adamin, sepse nuk diti as ta imagjinonte mëshirën e frytin e fesë, që është gëzimi… Ndërsa frika prodhon një krishterim të trishtuar, një Zot pa gëzim. Të çlirosh nga frika do të thotë të veprosh aktivisht për ta ngritur qefinin e frikës me të cilin është mbuluar zemra e shumë njerëzve: frika nga tjetri, frika nga i huaji. Kalimi nga refuzimi i plotë, që mund të jetë edhe instinktiv, në mikpritje, nga ksenofobia në filokseni… do të thotë t’i çlirosh besimtarët nga frika prej Zotit, siç kanë bërë gjatë gjithë historisë shenjte të gjithë engjëjt e Tij: të jemi engjëj, që çlirojnë nga frika”.








All the contents on this site are copyrighted ©.