2016-03-06 05:00:00

Shenjtorët e javës 6 – 13 mars


E diel 6 mars, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të kohës së Krezhmëve, e po këtë ditë, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton se vëmendja e Jezusit për mëkatarët e shkandullon njeriun, i cili e mban veten të drejtë. E prandaj shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele, ajo e Djalit plëngprishës e vë theksin mbi gëzimin për shpëtimin e birit të humbur e të rikthyer tek ati e jo mbi gabimet e djalit.

Të hënën më 7 mars, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Perpetua e Feliçita. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve për të shijuar më pas ringjalljen në Krishtin Zot.

Të martën më 8 mars, kalendari kishtar përkujton festën e shën Gjonit të Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve. Liturgjia e kësaj së kremteje na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, mund të na çojë drejt humbjes së tyre. Fati në jetën e pasosur qiellore varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote, që na i ka dhuruar Zoti.

Të mërkurën më 9 mars kalendari kishtar përkujton shën Françeskën romake, themeluese e Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet martirët e Sebastes dhe shën Katerinën e Bolonjës.

Të enjten më 10 mars, kalendari kishtar përkujton shën Simpliçin, papë e shën Gjonin Ogjilviè, meshtar jezuit e martir. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të premten më 11 mars, kalendari kishtar përkujton shën Maksimilianin, martir e shën Inoçencin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen dhe vetëdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvujtërisht vetveten në dorë të Zotit.

Të shtunën më 12 mars, kalendari kishtar përkujton shën Sabinin, martir, shën Patricien, shën Kristinën martire e shën Leandrin, ipeshkëv i Seviljes. Liturgjia e ditës na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se edhe ne falim atë që kemi pranë.

E diela e ardhshme më13 mars, Kisha katolike do të kremtojë të dielën V të Kohës së Krezhmëve, e po më 13 mars, kalendari përkujton edhe shën Matildën, mbretëreshë dhe të Lumin Plaçido Rikardi, murg. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.