2016-03-06 16:01:00

Papa: Zoti si babai i djalit plangprishës, na pret gjithmonë me krahë hapur


Zoti na lë të lirë të gabojmë, por na pret gjithnjë me krahë hapur

“Figura e atit të shëmbëlltyrës ungjillore na zbulon zemrën e Zotit”. Kështu tha Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke komentuar ngjarjen ungjillore të atit të mëshirshëm, e njohur si shëmbëlltyra e djalit plëngprishës.  

Papa Bergoglio vuri theksin mbi dy shenjat e dashurisë për të afërmin, që lidhen me Ungjillin e së dielës, përqendruar tek shëmbëlltyra e djalit plangprishës, ose më mirë, kujtoi Françesku, “e atit të mëshirshëm”. Në këtë shëmbëlltyrë, vërejti, na prek posaçërisht toleranca e atit, kur djali më i vogël vendos të largohet nga shtëpia. Kështu vepron edhe Zoti me ne, na lë të lirë të gabojmë, sepse, duke na krijuar, na bëri edhe dhuratën  e madhe të lirisë. Dhuratë, shtoi, që më mrekullon gjithnjë:

“Por ndarja nga ky bir është vetëm fizike; i ati e ka gjithnjë në zemër, pret plot besim kthimin e tij; nuk ia ndan sytë rrugës, me shpresë që ta shikojë duke u rikthyer. E një ditë prej ditësh  e shikon që nga larg (cfr v20). E kjo do të thotë se ai ngjitej çdo ditë mbi tarracë e shikonte rrugën, në pritje që i biri të rikthehej… Atëherë, duke e parë, u prek e vrapoi ta takonte, e përqafoi dhe e puthi. Ç’ dhembshuri e madhe! Edhe pse ai djalë s’kishte lënë gjë pa bërë. Po i ati e pranoi, ashtu siç ishte”.

Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati

Njëlloj, vijoi Papa, sillet edhe me djalin e madh, i cili ka ndenjur gjithnjë pranë tij, në shtëpi, e tani, i prekur thellë, proteston e nuk e kupton  psenë e gjithë kësaj mirësie për vëllain, që gaboi aq rëndë. I ati i flet edhe atij, duke i kujtuar se nuk janë ndarë kurrë  e se e gjithçka e kanë të përbashkët:

“E kjo më bën të mendoj një gjë: kur ndokush ndjehet mëkatar, i duket vetja fare pa vlerë, a, si kam dëgjuar të më thotë shumëkush ‘Unë jam pleh!’, duhet të shkojë te Ati. E kur ndokujt i duket vetja i drejtë e thotë ‘Unë i kam bërë gjithnjë gjërat mirë’, edhe ai duhet të shkojë te ati, sepse kjo sjellje që e shtyn ta quajë veten i drejtë, është e keqe. Është fodullëk. Vjen nga djalli. Ati i pret ata, që pranojnë se janë mëkatarë, e shkon t’i kërkojë ata, që e ndjejnë veten të drejtë”.

Në këtë shëmbëlltyrë, komentoi pastaj Françesku, mund të shihet edhe një djalë i tretë, i padukshëm, Jezusi. Ky Bir-Shërbëtor - theksoi - është shtrirja e krahëve e hapja  e zemrës së Atit: Ai e priti plangprishësin, ia lau këmbët e tij të ndyra; Ai ia përgatiti gostinë për festën e faljes. Ai, Jezusi, na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati.

Zoti na do jashtë çdo mase e na pret me dhembshuri

Figura e atit të shëmbëlltyrës - vijoi akoma Papa -  na zbulon zemrën e Zotit. Ai është Ati i mëshirshëm që, në Jezusin, na do jashtë çdo mase, pret  të pendohemi, sa herë që gabojmë. E pret të kthehemi, kur largohemi prej Tij, duke menduar se mund të bëjmë edhe pa Të: është gjithnjë gati të na i hapë krahët, sido që të ndodhë:

“Ashtu si ati i Ungjillit, edhe Zoti vijon të na konsiderojë bijtë e tij, kur humbasim, e vjen të na takojë me dashuri, kur rikthehemi tek Ai. Gabimet që bëjmë, edhe kur janë të mëdha, nuk e skërfisin besnikërinë e dashurisë së Tij. Në Sakramentin e Rrëfimit mund të rinisim gjithnjë nga e para; Ai na pret, na e rikthen dinjitetin e bijve të Tij e na thotë: ‘Ec përpara! Ji në paqe! Ngreju e ec përpara!’”.

Pjesa e Ungjillit të së dielës nga Luka  (Lk 15, 1-3.11-32)
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” 
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. 
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.