2016-03-06 15:04:00

Papa: motrat e Nënë Terezës, vrarë në Jemen, janë martire


Motrat e Nënë Terezës, vrarë në Jemen, janë martire të ditëve tona, ndonëse për ta nuk jepen lajme. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit  duke dënuar edhe një herë me forcë globalizimin e indiferencës, një nga shkaqet që ushqejnë luftërat. Korridoret humanitare, pohoi në vijim, janë angazhim konkret për kë ikën nga konfliktet. Inkurajoi, kështu, nismën  ekumenike, që filloii në Itali. Duke komentuar Ungjillin e së dielës, përqendruar mbi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, Françesku pohoi edhe një herë se Zoti di të dojë pa masë: prej këndej, është gjithnjë gati të vijë, të na takojë e të nga përqafojë.

Shenjat e paqes, shenjat e mëshirës, edhe nëse arrijnë deri në flijimin e  jetës, nuk duken ndërmjet lajmeve, që mbushin ditë për ditë mjetet e panumërta të komunikimit. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot,  Papa Françesku kujtoi me fjalë tejet prekëse, misionaret e bamirësisë, vrarë gjatë një sulmi barbar në Jemen, ku u shërbenin të moshuarve. Ati i Shenjtë i siguroi familjarët për afërsinë e tij, duke shtuar se lutet për prehjen e shpirtit të murgeshave të masakruara, që e mbyllën kaq lumnisht misionin e tyre:

“Janë martiret e sotme! E këto nuk janë në krye të gazetave, nuk janë lajme! Këto dhurojnë gjakun për Kishën. Prandaj janë viktima të sulmit të atyre, që i vranë, por edhe të indiferencës, të globalizimit të kësaj indiference, të cilës nuk i bëhet fare vonë për asgjë… Nënë Tereza i shoqëroftë në Parajsë këto bija martire të bamirësisë e ndërmjetësoftë për paqen dhe respektin e shenjtë të jetës njerëzore”.

Të mbështeten korridoret humanitare për ata, që ikin nga lufta

Misionaret e Nënë Terezës ishin shenjë konkrete për paqen dhe mbojtjen e jetës. E Françesku kujtoi, me admirim, edhe një shenjë tjetër: nismën e korridoreve humanitare për refugjatët, vënë në jetë kohët  e fundit në Itali:

“Ky projekt-pilot, që bashkon në një solidaritetin dhe sigurinë, synon t’i ndihmojë njerëzit që ikin nga luftërat e nga dhuna, ashtu si njëqind refugjatët e arritur tashmë në Itali, ndërmjet të cilëve, edhe të mitur të sëmurë, njerëz me aftësi të kufizuara, vejusha lufte me fëmijë e pleq. Gëzohem edhe pse kjo nismë është ekumenike, meqë mbështetet nga Bashkësia e Shën Egjidit, Federata e Kishave Ungjillore Italiane dhe Kishat Valdeze e Metodiste.

Zoti na lë të lirë të gabojmë, por na pret gjithnjë me krahë hapur

Papa vuri theksin mbi dy shenjat e dashurisë për të afërmin, që lidhen me Ungjillin e së dielës, përqendruar tek shëmbëlltyra e djalit plangprishës, ose më mirë, kujtoi Françesku, “e atit të mëshirshëm”. Në këtë shëmbëlltyrë, vërejti, na prek posaçërisht toleranca e atit, kur djali më i vogël vendos të largohet nga shtëpia. Kështu vepron edhe Zoti me ne, na lë të lirë të gabojmë, sepse, duke na krijuar, na bëri edhe dhuratën  e madhe të lirisë. Dhuratë, shtoi, që më mrekullon gjithnjë:

“Por ndarja nga ky bir është vetëm fizike; i ati e ka gjithnjë në zemër, pret plot besim kthimin e tij; nuk ia ndan sytë rrugës, me shpresë që ta shikojë duke u rikthyer. E një ditë prej ditësh  e shikon që nga larg (cfr v20). E kjo do të thotë se ai ngjitej çdo ditë mbi tarracë e shikonte rrugën, në pritje që i biri të rikthehej… Atëherë, duke e parë, u prek e vrapoi ta takonte, e përqafoi dhe e puthi. Ç’ dhembshuri e madhe! Edhe pse ai djalë s’kishte lënë gjë pa bërë. Po i ati e pranoi, ashtu siç ishte”.

Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati

Njëlloj, vijoi Papa, sillet edhe me djalin e madh, i cili ka ndenjur gjithjë pranë tij, në shtëpi, e tani, i prekur thellë, proteston e nuk e kupton  psenë e gjithë kësaj mirësie për vëllain, që gaboi aq rëndë. I ati i flet edhe atij, duke i kujtuar se nuk janë ndarë kurrë  e se e gjithçka e kanë të përbashkët:

“E kjo më bën të mendoj një gjë: kur ndokush ndjehet mëkatar, i duket vetja fare pa vlerë, a, si kam dëgjuar të më thotë shumëkush ‘Unë jam pleh!’, duhet të shkojë te Ati. E kur ndokujt i duket vetja i drejtë e thotë ‘Unë i kam bërë gjithnjë gjërat mirë’, edhe ai duhet të shkojë te ati, sepse kjo sjellje që e shtyn ta quajë veten i drejtë, është e keqe. Është fodullëk. Vjen nga djalli. Ati i pret ata, që pranojnë se janë mëkatarë, e shkon t’i kërkojë ata, që e ndjejnë veten të drejtë”.

Në këtë shëmbëlltyrë, komentoi pastaj Françesku, mund të shihet edhe një djalë i tretë, i padukshëm, Jezusi. Ky Bir-Shërbëtor - theksoi - është shtrirja e krahëve e hapja  e zemrës së Atit: Ai e priti plangprishësin, ia lau këmbët e tij të ndyra; Ai ia përgatiti gostinë për festën e faljes. Ai, Jezusi, na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati.

Zoti na do jashtë çdo mase e na pret me dhembshuri

Figura e atit të shëmbëlltyrës - vijoi akoma Papa -  na zbulon zemrën e Zotit. Ai është Ati i mëshirshëm që, në Jezusin, na do jashtë çdo mase, pret  të pendohemi, sa herë që gabojmë. E pret të kthehemi, kur largohemi prej Tij, duke menduar se mund të bëjmë edhe pa Të: është gjithnjë gati të na i hapë krahët, sido që të ndodhë:

“Ashtu si ati i Ungjillit, edhe Zoti vijon të na konsiderojë bijtë e tij, kur humbasim, e vjen të na takojë me dashuri, kur rikthehemi tek Ai. Gabimet që bëjmë, edhe kur janë të mëdha, nuk e skërfisin besnikërinë e dashurisë së Tij. Në Sakramentin e Rrëfimit mund të rinisim gjithnjë nga e para; Ai na pret, na e rikthen dinjitetin e bijve të Tij e na thotë: ‘Ec përpara! Ji në paqe! Ngreju e ec përpara!’”.

Në këtë kohë Kreshmësh, që na ndan akoma nga Pashkët, i nxiti besimtarët Papa, jemi të thirrur ta vijojmë udhën tonë pendestare.

Në çastet e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, ndërmjet të cilëve edhe Konfederata italiane e ish-nxënësve të Shkollave katolike, kërkoi një lutje të veçantë për fillimin e Ushtrimeve shpirtërore, që do t’i bëjë me bashkëpunëtorët e tij  të Kuries, në shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, deri të premten e ardhshme.  








All the contents on this site are copyrighted ©.