2016-03-06 00:00:00

Fundjava në Kishën universale


Spanjë: sot në Spanjë u kremtua “Dita Hispanoamerikane”, themeluar që në vitin 1959, që organizohet vit për vit, me pjesëmarrjen e mbarë dioqezave të vendit. Është festë, që u kujton të gjithëve lidhjet e solidaritetit, të bashkimit e bashkëpunimit ungjillëzues ndërmjet Kombit iberik dhe Kontinentit latinoamerikan. Me këtë rast, Komisioni Papnor për Amerikën Latine përhapi një mesazh shprese.

Luksemburg: Pranë katedrales së Luksemburgut u mbajt takimi kushtuar së Lumes Kiara Badano, vdekur nga tumori i kockave në vitin 1990, vetëm 19 vjeçe. Takimin e organizuan veprimtarët e Lëvizjes së Fokolarëve  vendas. Tema e takimit ishte: “Një Zot i mëshirshëm e një njeri, që duhet të vuajë?”. Reflektimi përfundoi me Meshën, kryesuar në katedrale nga kryeipeshkvi i Luksemburgut, imzot Jean-Claude Hollerich.

SHBA: - Në SHBA sot u organizua mbledhja e lëmoshëve të Kreshmëve. Organizatori është Catholic Relief Services(CRS), vepër bamirëse e Kishës në SHBA. Ndërsa lëmoshët e mbledhura do të përdoren për t’i ndihmuar vendet e varfëra të përtej detit.

Lituani: Në Lituani u kremtua “Dita e lutjes për lituanët nëpër botë”, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore lituane.

Po sot, në mbarë Evropën, u organizua Dita evropiane e të drejtëve, që kremtohet çdo vit më 6 mars, për të kujtuar njerëzit që shpëtuan jetë njerëzore gjatë gjithë genocideve dhe vrasjeve në masë, si dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, gjatë shekujve XX e XXI. U kujtuan, kështu, edhe të gjithë ata, që e mbrojtën dinjitetin njerëzor gjatë periudhave totalitare të nazizmit e të komunizmit.

Nuk mund të mos i kujtojmë në këtë ditë, edhe mijëra viktimat e komunizmit në Shqipëri e, ndërmjet tyre, 40 Martirët, që presin nderimet e elterit, fytyrat e të cilëve  janë ende të freskëta në kujtesën e turmës vigane të popullit, që u mblodh në Tiranë më 21 shtator 2014 rreth Papës Françesku, i cili gjithashtu mbeti i prekur në zemër nga ky popull, që i  dhuroi njerëzimit kaq shumë Njerëz të Drejtë.  

Dita, që u miratua nga Parlamenti evropian në vitin 2012, me nismën e Shoqatës Gariwo e që drejtohet nga Gabriele Nissim, e ka shtrirë mbi të gjitha grenocidet konceptin e të Drejtit, hartuar nga Moshe Bejski, lidhur me Shoah, shfarosjen në masë të hebrenjve, aq shumë të diskutuar e të kujtuar vit për vit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.