2016-03-04 14:23:00

Papa: rrëfyesit nuk duhet të krijojnë pengesa për mëshirën e Zotit


Rrëfyesit janë mjete të mëshirës së Zotit, nuk duhet t’i krijojnë pengesa kësaj dhurate të shëlbimit: këtë theksoi Papa në takimin me pjesëmarrësit në Kursin e organizuar nga Pendestaria Apostolike në Romë, për t’i ndihmuar meshtarët e rinj në mbarështimin e Sakramentit të Pajtimit.

Mëshira - pohoi Françesku - është rruga, që zgjodhi Zoti, në favor të çdo  njeriu, për shëlbimin e tij të amshuar, e mund ta arrijnë, pa kurrfarë shpërblimi, të gjithë ata, që e kërkojnë:

“Mundësia e faljes është e hapur për të gjithë, madje në dy kanatat, si  më e madhja nga Portat Shenjte, sepse përkon me vetë zemrën e Atit, që i do e i pret të gjithë bijtë e tij e, në mënyrë të posaçme, ata që kanë gabuar më shumë e janë më larg prej Tij”.

Mëshirën e Atit, vijoi Papa, mund ta arrijë çdo njeri, në një mori mënyrash: përmes hapjes së sinqertë të ndërgjegjes; përmes leximit të Fjalës së Zotit, që e shndërron zemrën; përmes takimit me një motër, me një vëlla të mëshirshëm; përmes përvojës së jetës, që flet për plagët, për mëkatin, për faljen e për mëshirën. Por udha më e sigurt e mëshirës, përmes së cilës kalohet nga mundësia, në realitet, nga shpresa, në siguri, është Jezusi, i cili ka fuqi mbi tokë t’i falë mëkatet (Lk 2,24) e këtë mision ia përcolli edhe Kishës (cfr Gjon 20,21-23). Prej këndej, Sakramenti i Pajtimit është vendi i zgjedhur për ta provuar personalisht mëshirën e Zotit e për të kremtuar festën e takimit me Atin. Kështu u tha Papa rrëfyesve e, më pas, shtoi këto fjalë, duke folur lirisht:

“Ne e harrojmë këtë të fundit tepër lehtë: unë shkoj, lypi falje, ndjej ngrohtësinë e përqafimit të ndjesës, por harroj fare të bëj festë. Po kjo nuk është doktrinë teologjike, nuk hyn fare këtu, mendoj. Ndërsa unë do të thosha se pikërisht kjo është pjesë e Sakramentit, sepse, ashtu si pendesa, bën pjesë në festën, që duhet të bëj me Atin, i cili më fali”.

Papa shtoi edhe:

“Kur, si rrëfyes, shkojmë në rrëfyestore për t’i pritur vëllezërit e motrat, duhet të kujtojmë gjithnjë se jemi mjete të mëshirës së Zotit për ta; prej  këndej, duhet të kemi kujdes e të mos i krijojmë pengesa kësaj dhurate të shëlbimit, pa harruar se edhe vetë rrëfyesi është mëkatar, njeri që ka gjithnjë nevojë për falje: ai vetë, i pari, nuk mund të bëjë pa mëshirën e Zotit, që e zgjodhi dhe e caktoi për këtë detyrë kaq të madhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.