2016-03-04 12:31:00

Papa ka pranuar të vizitojë Pakistanin


“Erdhëm në Romë për ta ftuar Atin e Shenjtë në Pakistan e ai pranoi”. Kështu i tha ministri i Lundrimit të Pakistanit, Kamran Michael, themeluesit të Shoqatës së Pakistanezëve të Krishterë në Itali, Shahid Mobeen, gjatë një takimi në Vatikan për 5-vjetorin e vrasjes së ish-ministrit të krishterë, Shahbaz Bhatti. Lajmi jepet nga një komunikatë e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Z. Michael është i vetmi ministër i krishterë në qeverinë aktuale të Islamabadit. Erdhi në Romë së bashku me ministrin e Punëve Fetare të Pakistanit, Sardar Muhammad Yousaf, pikërisht për t’i dorëzuar Atit të Shenjtë ftesën zyrtare të kryeministrit Nawaz Sharif.

Dje, të dy ministrat u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. “Vizita nuk është e sigurtë – lexohet në notë – por udhëtimi i mundshëm i Papës, në shtator, në Indi, për shenjtërimin e Nënë Terezës, është parë si rast i volitshëm nga qeveria pakistaneze”. Udhëtimi i fundit i një pape në Pakistan ka qenë ai i Gjon Palit II në vitin 1981.








All the contents on this site are copyrighted ©.