2016-03-04 11:55:00

Papa Françesku i fton valdezët për drekë në Vatikan


“E kthejmë me gëzim e frymë vëllazërimi vizitën, që Papa na bëri më 22 qershor 2015, kur na takoi në Tempullin valdez të Torinos, vend simbol i emancipimit të valdezëve pas vitit 1848”. Me këto fjalë, moderatori i Tryezës valdeze, pastori Eugenio Bernardini, lajmëroi se nesër, më 5 mars, për herë të parë në histori, një delegacion i Kishave metodiste dhe valdeze do të takohet me Papën Françesku në Vatikan. Audienca do të ndiqet nga një drekë me Atin e Shenjtë, në Shtëpinë e Shën Martës.

         Edhe vizita e Papës në Tempullin valdez të Torinos bëhej për herë të parë në histori. “Do të jetë rasti – shpjegoi pastori Bernardini, duke iu referuar audiencës së nesërme – për ta bërë më konkret dialogun ekumenik, i cili, me nxitjen e Papës Françesku, po shtohet dukshëm. E nuk mendoj vetëm për dokumentet doktrinore të përbashkëta, por edhe për nevojën e një misioni të ri të krishterë, më gjithëpërfshirës, në një botë gjithë e më të shumëllojshme dhe më të shekullarizuar. Mendoj edhe për ekumenizmin “në diakoni”, që s’i ka afruar kurrë më shumë se këto kohë katolikët dhe protestantët, në impenjimin e përbashkët për një botë më të aftë për dialog e drejtësi, siç janë mikpritja e refugjatëve dhe mbrojtja e të drejtave të emigrantëve”. Vetë moderatori Bernardini do të udhëheqë delegacionin, i cili përbëhet nga pastorë dhe laikë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.