2016-03-04 18:44:00

Lombardi e Zollner: impenjimi i Kishës kundër abuzimeve seksuale


Gjatë dy ditëve të fundit, anëtari i Komisionit për Mbrotjen e të Miturve, atë Hans Zollner, ka takuar në dy raste disa viktima të abuzimeve seksuale të klerit në Ballarat të Australisë, ardhur në Romë me rastin e dëshmisë së kardinalit George Pell para Komisionit mbretëror australian. Dëshmi “personale dhe dinjitoze”, nënvizon në një notë, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi.

Atë Hans Zollner flet me viktimat e abuzimeve për modelet e edukimit

         Ka qenë pikërisht kardinali Pell ai, që i ka kërkuar atë Hans Zollner të takohet me viktimat e abuzimeve, të cilat e kërkuan një mundësi të tillë. Australianët folën me jezuitin gjerman, drejtor i Institutit të psikologjisë në Universitetin Papnor Gregorian, rreth modeleve edukative për të miturit, prindërit dhe mësuesit, që mundësojnë ndryshime strukturore në gjirin e Kishës e të shoqërisë, në gjendje të mbrojnë vërtet fëmijët e të rinjtë. Atë Zollner, thuhet në një notë të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, vlerësoi shqetësimet e shprehura nga viktimat dhe propozimet e tyre për masa parandaluese, të cilat do t’ua paraqesë edhe anëtarëve të tjerë të Komisionit. Të gjithë duhet të mësojnë nga përvoja e viktimave për të përmirësuar punën e për të parandaluar me sukses abuzimet seksuale nga ana e njerëzve në shërbim të Kishës.

Impenjimi i Papëve kundër abuzimeve, në notën e atë Federico Lombardi-t

         Përveç kësaj, në një notë tjetër, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Fedrico Lombardi, nënvizon impenjimin e guximshëm të Papëve për t’i bërë ballë krizës së abuzimeve gjatë viteve të fundit. Është krejtësisht e gabuar të mendohet se Kisha nuk ka bërë asgjë, ose ka bërë pak për t’iu përgjigjur këtyre dramave të tmerrshme, shkruan atë Lombardi. Kisha, e plagosur dhe e poshtëruar nga plaga e abuzimeve, është thellësisht e interesuar të reagojë për shërimin e saj të brendshëm.

         Ndërkaq, përsa i përket dëshmisë së kardinalit George Pell, të cilin nota e quan “dinjitoze dhe koherente”, nënvizohet se ajo do të ndihmojë në perspektivën e përbashkët të purifikimit të memories. Pra, mirëpriten thirrjet pas marrjes së çmimit Oskar nga filmi “Spotlight” dhe mobilizimi i viktimave të abuzimeve me rastin e dëshmisë së kardinalit Pell, nëse vërtet duan të kontribuojnë në intensifikimin e kuftës kundër abuzimeve me të miturit në Kishën Katolike, përfundon atë Lombardi.

Filmi “Spotlight” dhe abuzimet

         Kujtojmë se filmi “Spotlight”, i cili së shpejti do të transmetohet edhe në kinematë shqiptare, flet për rolin e gazetës “Boston Globe” në denoncimin e mbulimit të krimeve të shumë meshtarëve pedofilë në Boston, kryer sidomos gjatë periudhës 1960-1980, kur e gjithë bota përjetonte pasojat e “revolucionit seksual”.

         Në notën e tij të sotme, atë Federico Lombardi përshkruan disa nga masat e marra nga Kisha për ta luftuar fenomenin e abuzimeve. Kryeipeshkvi i mëparshëm i Bostonit dha dorëheqjen në vitin 2002, menjëherë pas ngjarjeve për të cilat flet filmi “Spotlight” (e pas një mbledhjeje të kardinajve amerikanë, organizuar në Romë nga Papa Gjon Pali II në prill të vitit 2002). Që nga viti 2003 (pra që prej 13 vjetësh), kryedioqeza drejtohet nga kardinali Sean O’Malley, i njohur universalisht për rreptësinë dhe urtinë, me të cilat u bën ballë çështjeve të abuzimeve seksuale, aq sa Papa e ka emëruar këshilltar të tij dhe e ka vënë në krye të Komisionit për mbrojtjen e të miturve, themeluar nga vetë Françesku.

Ngjarjet tragjike të abuzimeve seksuale në Australi janë objekt hetimesh

         Edhe ngjarjet tragjike të abuzimeve seksuale në Australi janë objekt hetimesh e përndjekjesh ligjore e kanonike prej vitesh. Kur Papa Benedikti XVI ndodhej në Sidnej për Ditën Botërore të Rinisë 2008 (Pra, para 8 vjetësh), u takua me një grup të vogël viktimash në selinë e kryeipeshkvisë së drejtuar nga kardinali Pell, pikërisht sepse kryeipeshkvi e shihte të domosdoshëm atë takim.

         Sa për të dhënë një ide për kujdesin me të cilin ndiqen këto probleme, vetëm seksioni i faqes së internetit të Vatikanit kushtuar “Abuzimeve për të miturit, Përgjigjja e Kishës”, hapur para rreth 10 vjetësh, përmban mëse 60 dokumente e ndërhyrje.

Papët kanë reformuar ligjet e normat dhe kanë marrë masa kundër abuzimeve

         Impenjimi i guximshëm me të cilin Papët i janë kushtuar përballimit të krizës, që u shfaq më vonë në vende e situata të ndryshme – si në SHBA-të, Irlandë, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, ose në gjirin e Legjionarëve të Krishtit etj. – nuk është as i vogël, as indiferent. Janë rinovuar procedurat e normat kanonike; u janë kërkuar Konferencave Ipeshkvnore linjat bazë për t’iu përgjigjur abuzimeve, por sidomos për t’i parandaluar; është reformuar thellësisht Kongregata e Legjionarëve… të gjitha këto, janë veprime për t’iu përgjigjur me largpamësi një plage, që ishte përhapur mjaft, me pasoja shkatërruese.

Letra e Benediktit XVI për besimtarët irlandezë

         Letra e Benediktit XVI për besimtarët irlandezë në mars 2010, ndoshta, mbetet pika e referimit më e qartë për të kuptuar qëndrimin dhe përgjigjen juridike e baritore të Papëve, që i kapërcen kufijtë e Irlandës: njohja e gabimeve të rënda e kërkesa për falje, përparësia, kujdesi e drejtësia për viktimat, kthimi e spastrimi, impenjimi për parandalimin e abuzimeve dhe rinovimi i formimit njerëzor e shpirtëror të njerëzve të Kishës. Takimet e Benediktit XVI e të Papës Françesku me grupe të ndryshme viktimash e kanë shoqëruar këtë rrugë të gjatë me shembullin e dëgjimit, të kërkesës për falje, të ngushëllimit e të përfshirjes personale në historinë e çdo viktime.

Rezultatet në Kishë shihen qartë

         Në shumë vende, sqaron më tej atë Lombardi në notën e sotme, rezultatet shihen qartë e rastet e abuzimeve janë shumë të rralla, prandaj shumica e abuzimeve për të cilat flitet edhe në film janë raste që i përkasin një të kaluare, larg me dhjetëvjeçarë tashmë. Në vende të tjera, për shkak të kulturës së ndryshme, që akoma karakterizohet nga heshtja, mbetet shumë për të bërë e nuk mungojnë vështirësitë, por rruga për t’u ndjekur është tashmë shumë e qartë.

Në shoqëri mbetet shumë për të bërë kundër abuzimeve

         Themelimi i Komisionit për mbrojtjen e të mirutve, shpallur nga Papa Françesku në dhjetor 2013, përbërë nga anëtarë prej çdo kontinenti, tregon se Kisha Katolike e ka përcaktuar tashmë udhën. Ajo jo vetëm ka angazhuar meshtarët e vet ose veprimtarë të tjerë kishtarë për t’iu përgjigjur si duhet problemit të abuzimeve, por është gati të ndihmojë edhe shoqërinë në përballimin e fenomenit, i cili, fatkeqësisht, jashtë Kishës, ka përmasa shumë më të mëdha se brenda saj. Megjithëse jo të gjithë janë gati ta pranojnë këtë, shifrat flasin qartë. Në Azi mund të flitet për dhjetra milionë fëmijë të abuzuar, jashtë ambientit katolik.

         Pra, Kisha, e plagosur dhe e poshtëruar nga plaga e abuzimeve, synon të reagojë jo vetëm për shërimin e saj të brendshëm, por edhe për të vënë në dispozicion përvojën në këtë fushë, duke e pasuruar shërbimin e saj edukativ e baritor për mbarë shoqërinë, e cila, në përgjithësi, ka akoma rrugë për të bërë që ta kuptojë sa të rënda janë problemet e si duhet t’i përballojë ato.








All the contents on this site are copyrighted ©.