2016-03-04 19:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të e Kreshmëve “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës Hyjnore, këtë të diele, i paraprinë gëzimit të Ngjalljes së Krishtit, gëzimit që buron nga bindja se dëshirojmë që Ai të na falë e të na shpëtojë per manshim. Kështu, leximet biblike e, në mënyrë të veçantë, pjesa e Ungjillit na thërret të gëzohemi në Zotin, sepse Ai na del para në takim, e na ofron mëshirën e vetë hyjnore.

Arsyeja e parë e gëzimit është afërsia e Zotit ndaj atyre njerëzve që e kërkojnë. Arsyeja e dytë është falja që Zoti u dhuron atyre njerëzve që kthehen tek Ai me zemër të sinqertë e të penduar.

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na tregon se Hyj është Atë dhe e do shpëtimin e çdo biri e bije. Hyji Atë e pret me durim e dashuri, çdo fëmijë të vetin, që është larguar prej tij. Zoti është Atë që e zgjon në zemrën e mëkatari dëshirën e kthimit, për të rifituar mundësinë e jetesës në bashkim të thellë me Të. Hyj është Atë që mëshirën e shndërron në gurrë të jetës së re, për mbarë njerëzimin. Ti bashkohemi, pra, gëzimit të Zotit e të festojmë, të gëzohemi edhe ne, për çdo mëkatarë që kthehet me gjithë zemër tek Hyji. 

E mos të harrojmë se leximet biblike janë një histori njerëzore, sipas mendimit të Zotit. Leximet biblike që janë zgjedhur për kremtimin e dielës së katërt të udhës krezhmore, e tërheqin vëmendjen tonë mbi atë, që mund ta quajmë, teologjia e historisë, do të thotë atë që Zoti mendon e projekton për historinë njerëzore.  Ungjilli i kësaj së diele është një histori e dashurisë dhe e faljes ndërmjet Zotit e njerëzve.

Ta dëgjojmë së bashku Fjalën Hyjnore, në mënyrë të veçantë Ungjillin e kësaj së diele, që është një poemë e përdëllimit të Zotit, e pastaj edhe komentin e leximeve biblike....

                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Joz 5, 9 a. 10-12
Pas kalimit të lumit Jordan dhe hyrjes në tokën e premtuar fillon një fazë e re në historinë e shpëtimit dhe izraelitët kremtojnë Pashkët që paraprin Pashkët e krishtera. Në shkretëtirë hebrenjtë merrnin manën (ushqimin), dhuratë e Hyjit që Ai e jepte çdo ditë. Tani ushqimi që i ushqen është edhe frut i punës dhe i vullnetit të tyre për ta bërë pjellore tokën e tyre. 
 
Lexim prej Librit të Jozuehut
Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit.” Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit, dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit. Fjala e Zotit.

Psalmi 34
Zoti është afër atyre që e kërkojnë

-----------
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
----------
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
-----------
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e 
Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi 
nga të gjitha vuajtjet e tija.
----------

Leximi i dytë 2 Kor 5, 17-21
Krishti na ka pajtuar me Atin. Jeta e tij dhe mesazhi i tij kanë këtë domethënie për ne: hir, falje, bamirësi, paqe, nga ana e Hyjit drejt njeriut. Të gjithë këtë Jezusi na e ka dhuruar duke marrë dobësinë tonë. Ndërsa Jezusi nga një anë duke u bërë solidar me jetën tonë të mjerë, Ai na bën pjesmarrës në vetë jetën e Hyjit. 
 
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. 
Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit. Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: 
‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e kundër teje!’
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
Ungjilli Lk 15, 1-3.11-32
Shëmbëlltyra e djalit të humbur na bën të kuptojmë misterin e errësirës dhe të vdekjes që vepron në rebelimin ndaj vullnetit të dashurisë së Atit qiellor, dhe nga ana tjetër madhështinë e pafundme të mëshirës së tij për fëmijët që e tradhtojnë dhe e ofendojnë pa e kuptuar greminën në të cilën kanë rënë. 
Kisha ekziston sot falë mëshirës së Hyjit e nëpërmjet këtij veprimi dashurie Hyji ka themeluar popullin që jemi ne, të përbërë nga bij të humbur dhe dele të humbura. 
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” 
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. 
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.