2016-03-04 15:23:00

Atë Cantalamessa: vetëm kush e do Krishtin, di ta kumtojë me forcë


Sot, në Kapelën Nëna e Shëlbuesit, në Vatikan, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, mbajti reflektimin e tretë e të fundit mbi Kushtetutën “Dei Verbum”. Të pranishëm, Papa dhe Kuria Romake, që pasnesër do të fillojnë Ushtrimet Shpirtërore.

Herën e fundit, kujtoi në fillim të predikimit predikatari kapuçin, fola për ‘lectio divina’, domethënë, për leximin personal të Shkrimit Shenjt. E, duke ndjekur skemën e Shën Jakut, dalluam në të, tre veprime: mirëpritjen  e Fjalës, meditimin e saj dhe vënien në jetë.

Mbetet për t’u bërë veprimi i katërt, sqaroi predikatari. E pikërisht për të  reflektoi, për kumtimin e Fjalës, duke u përqendruar tek lidhja ndërmjet mesazhit dhe mjetit me të cilin transmetohet e duke u nisur nga fjalët e Palit VI: “ Shpirti Shenjt është veprimtari i parë i Ungjillëzimit”.

Mjeti e mesazhi

Në se duam ta përhapim një lajm, kujtoi atë Cantalamessa, problemi i parë, që duhet të zgjidhim, është me ç’mjet mund ta transmetojmë? Me shtyp? Radio? Televizion? Mjeti ka rëndësi aq të madhe, sa shkenca moderne e komunikimeve shoqërore ka krijuar sloganin”: “Mjeti është mesazhi” (“The medium is the message”). Atëhere, cili është ky mjet primordial e natyror, që duhet për transmetimin e fjalës? Është fryma, flladi, zëri? Ai  e merr, thënë figurativisht, fjalën e formuar fshehtësisht në mendjen time dhe e çon në veshin e dëgjuesit. Të gjitha mjetet, pastaj, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ta fuqizojnë e ta përhapin mjetin primordial të frymës a të zërit. Edhe vetë Shkrimi Shenjt vjen më pas, kujtoi kapuçini, e nënkupton zërin e gjallë, me që shkronjat e alfabetit nuk janë tjetër, veçse shenja, që tregojnë tingujt.

Fjala e Zotit ndjek po këtë ligj, shpjegoi atë Cantalamessa, duke vijuar Predikimin e tretë të Kreshmëve në praninë e Papës e të Kuries Romake.  Transmetohet përmes frymës. E kush është fryma, ose ruah, e Zotit, sipas Biblës? E dimë të gjithë: është  Shpirti  Shenjt. Fjala e Zotit nuk mund të marrë jetë ndryshe, veçse nga fryma e Zotit, që është Shpirti Shenjt. Ky është ligji themelor i çdo kumtimi e i çdo ungjillëzimi! Lajmet njerëzore transmetohen ose me zërin njerëzor, ose me radio, shtyp, internet e kështu me radhë: lajmi hyjnor, si i tillë, transmetohet përmes Shpirtit Shenjt. Shpirti Shenjt është mjeti i vërtetë, themelor i komunikimit. Pa Të nga mesazhi nuk mund të perceptohet tjetër, veçse zëri njerëzor. Po Fjalët e Zotit janë shpirt e jetë (cfr Gv 6,63), e nuk mund të transmetohen, as të përvetësohen ndryshe, përveçse në Shpirtin Shenjt.

Edhe vetë Jezusi nisi të predikojë me pushtetin  e Shpirtit Shenjt, kujtoi në vijim predikatari. Ai deklaroi: “Shpirti i Zotit është mbi mua, më shuguroi me vaj, për t’u çuar të varfërve lajmin e mirë!”.

E fjala e fundit, që u tha Apostujve, para se të ngjitej në qiell, ishte:  “Shkoni në gjithë botën e predikojani Ungjillin çdo krijese” (Mc 16,15; Mt 28,19).

Fjalët dhe veprat

Gjëja e parë, që duhet ta shmangim, kur flasim për ungjillëzimin, duhet të jetë  mendimi se ungjillëzimi është fjalë sinonime me predikimin, prej këndej, e caktuar për një kategori të veçantë të krishterësh. Ndërsa duhet kujtuar me forcë se nuk ungjillëzohet vetëm me fjalë por, para së gjithash, me vepra e me jetë: jo me atë që thua, por me atë që bën e, sidomos me atë që je! E vetëm në Jezu Krishtin nuk ka kurrfarë ndryshimi ndërmjet mjetit e mesazhit. Në Të, Fjala dhe vepra janë një gjë e vetme. E faktet flasin më fort se fjalët. Njeriu bashkëkohor i dëgjon më me dëshirë dëshmitarët, sesa mësuesit e, nëse ua vë veshin mësuesve, e bën këtë vetëm e vetëm kur janë dëshmitarë!  

Ky, mësimi kryesor i predikimit të sotëm, me vlerë për të gjithë të krishterët.

 Si mund të bëhesh ungjillëzues

Angazhimi i ungjillëzimit u përket të gjithëve, kujtoi predikatari kapuçin, prej këndej, të gjithë duhet ta dijnë sesi mund të bëhen ungjillëzues. Kushtin e parë na e kujton vetë Zoti, me fjalët drejtuar Abrahamit: “Dil nga toka jote e shko!” (cfr Zan12,1). Nuk ka mision pa dalje. Por duhet pasur mirë para sysh se porta e parë, nga e cila duhet të dalim, nuk është ajo e Kishës, e bashkësisë, e institucionit, e sakrestive:  është ajo e vetvetes sonë! Duhet të dalim nga vetvetja, për t’i lëshuar vendin Zotit. Pastaj, duhet të studiojmë Fjalën e Zotit e dhe ta kuptojmë plotësisht. Me bindjen se në zemrat e njerëzve mund të arrijë vetëm çka del prej zemre. E kjo nuk është punë e një dite të vetme, por e një jete. Kërkon pak fjalë, shumë zemër, shumë punë e shumë lutje. Mos harroni: “Kur njeriu lutet e pak e flet shumë, fjalët e tij janë krej boshe, nuk arrijnë në zemrën e askujt”. Vetëm kush e do Krishtin, di ta kumtojë me forcë.

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.