2016-03-03 14:54:00

Papa: kush i shërben jetës, të mos kujdeset për interesat ekonomike


Kush është në shërbim të jetës nuk mund të ndjekë interesat ekonomike, në dëm të së mirës së përbashkët. Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, të cilit i priti në audiencë në Vatikan. Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se në kohën e sotme, natyra njerëzore konsiderohet si një masë amorfe, së cilës mund t’i jepet çfarëdolloj forme, me rrezikun për ta quajtur të mirën, të keqe dhe anasjelltas.

 

Ka interesa ekonomike, që shfrytëzojnë të mirën e përbashkët

Shumë institucione impenjohen t’i shërbejnë jetës, por ka edhe shumë struktura, që shqetësohen vetëm për interesin e tyre ekonomik, denoncoi Ati i Shenjtë. Në kohën tonë, disa orientime kulturore nuk e njohin më gjurmën e urtisë hyjnore në realitetet e krijuara e madje, as tek njeriu:

“Natyra njerëzore reduktohet kështu në nivelin e materies së thjeshtë, të plazmueshme sipas çfarëdolloj plani. Në të vërtetë, humaniteti ynë është unik dhe shumë i çmuar në sytë e Zotit! Prandaj, natyra e parë për t’u ruajtur, që të sjellë fryte, është vetë humaniteti ynë. Duhet ta ushqejmë me ajrin e pastër të lirisë e me ujin gjallërues të së vërtetës, ta mbrojmë nga helmet e egoizmit dhe të gënjeshtrës”.

Ta pranojmë e të kujdesemi për jetën e njeriut

Papa nënvizoi urgjencën e pranimit dhe të kujdesit për jetën e njeriut, sipas dinjitetit, që i takon në çdo rrethanë:

“Kultura bashkëkohore i ruan akoma premisat për të pohuar se njeriu, sido që të jenë kushtet e tij të jetesës, është vlerë për t’u mbrojtur; megjithatë, jeta është shpesh viktimë e pasigurive morale, që nuk lejojnë mbrojtjen e frytshme të saj. Jo rrallë, pastaj, mund të ndodhë që, në emër të virtyteve, të maskohen ‘vese të shkëlqyera’”.

Më pas, Ati i Shenjtë shtoi pa letër:

“Dua të përsëris këtu, ç’kam thënë disa herë: duhet të kemi kujdes nga kolonizimet e reja ideologjike, që ndërhyjnë në mendimin njerëzor, edhe në atë të krishterë, duke marrë formën e virtytit, të modernes, të sjelljeve të reja, por s’janë tjetër veçse kolonizime, pra, e mohojnë lirinë ideologjike e kanë frikë nga realiteti, ashtu si e ka krijuar Zoti”.

Dinamika e zemrës së ngurtësuar dhe virtytet

Është dinamika e zemrës së ngurtësuar, nënvizoi më tej Papa. Sa më shumë që zemra të priret drejt egoizmit dhe së keqes, aq më e vështirë është të ndryshojë. E nëse zemra korruptohet, pasojat për jetën shoqërore janë shumë të rënda, sepse njerëzit shkojnë vetëm pas interesit vetjak, deri në gjakderdhjen e dhunën kundër të pafajshmëve. Kjo gjendje nuk mund të ndryshojë me teori apo me reforma shoqërore e politike, vërejti Papa. Vetëm Shpirti Shenjt mund ta shndërrojë zemrën, nëse ne bashkëpunojmë me të. Virtyti, shtoi më tej Françesku, nuk është çështje “kozmetike”, nuk është zbukurim i jashtëm, por ai që çrrënjos nga zemra dëshirat e pandershme e na bën ta kërkojmë me sinqeritet të mirën. Normat, që sanksionojnë respektin për njerëzit, nuk mjaftojnë për të arritur të mirën e njeriut. Janë virtytet e atyre që punojnë për promovimin e jetës, theksoi Papa, garancia e fundit për respektimin e së mirës:

“Sot, nuk mungojnë njohuritë shkencore dhe mjetet teknike, në gjendje të ofrojnë mbështetje për jetën njerëzore, në ato situata ku ajo është e dobët. Por, nganjëherë, mungon humaniteti. Sjellja e mirë nuk është zbatim i drejtë i etikës, por presupozon interesin e vërtetë për njeriun e brishtë. Mjekët dhe të gjithë veprimtarët e shëndetësisë të mos harrojnë kurrë së bashkuari shkencën, teknikën e humanitetin”.

Ftesa përfundimtare e Papës Françesku ishte:

“Që ata, të cilët i kushtohen mbrojtjes dhe promovimit të jetës, të mund të dëshmojnë, pikë së pari, bukurinë e saj. Vërtet, ashtu si “Kisha nuk rritet për prozelitizëm, por ‘përmes aftësisë tërheqëse’” (Evangeli Gaudium 14), ashtu edhe jeta njerëzore mbrohet e promovohet frytshëm vetëm kur e vemë në dukje dhe e dëshmojmë bukurinë e saj. Duke jetuar dhembshurinë e vërtetë dhe virtytet e tjera, do të jeni dëshmitarë të privilegjuar të mëshirës së Atit të jetës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.