2016-03-03 14:02:00

Papa Françesku: mëshira e Zotit hyn vetëm në zemrën e hapur


Vetëm nëse e mbajmë zemrën të hapur, mund ta pranojmë mëshirën e Zotit. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku vuri theksin në pabesinë e Popullit të Zotit, që mund të kapërcehet vetëm kur i njohim mëkatet tona e kur jemi gati të fillojmë udhën e ndryshimit.

Nëse zemra është e mbyllur, mëshira nuk hyn në të

Duke komentuar Leximin e parë të liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Jeremisë profet, Ati i Shenjtë vuri përballë njëra-tjetrës besnikërinë e Zotit dhe pabesinë e popullit të Izraelit, i cili nuk e dëgjonte fjalën e Tij. Jeremia tregon shumë gjëra, që Hyji i bëri pikërisht për t’ia fituar zemrën popullit, por ky i fundit nuk i qëndroi besnik paktit të besëlidhjes. Kjo pabesi, të cilën Papa e aktualizoi edhe për njerëzit e kohës sonë, e ngurtëson zemrën, e mbyll atë:

“Nuk e lë të hyjë zërin e Zotit, që, si atë i dashur, na kërkon gjithnjë t’ia hapim zemrën mëshirës dhe dashurisë së Tij. Me Psalmin, jemi lutur të gjithë së bashku: ‘Dëgjojeni sot zërin e Zotit. Mos e ngurtësoni zemrën!’. Zoti na flet gjithnjë kështu e, me ëmbëlsinë e atit, na thotë: ‘Kthehuni tek unë me gjithë zemër, sepse jam i butë e i përvujtë’. Por kur zemra ashpërsohet, kjo nuk kuptohet. Mëshira e Zotit kuptohet vetëm nëse je i aftë ta hapësh zemrën, që Ai të hyjë”.

Të kërkojmë falje, të mos gjykojmë të tjerët

E njëjta histori, vërejti Papa Françesku, tregohet në Ungjillin sipas Lukës, në të cilin Jezusi përballet me dijetarët e Ligjit, ata që dinin gjithçka mbi teologjinë, por i kishin zemrat e mbyllura. Ndërsa turma mrekullohej e besonte në Jezusin, sepse e mbante zemrën të hapur. Njerëzit ishin mëkatarë e aspak të përsosur e të shkolluar, por me zemrën e hapur:

“Kjo është historia… histori e besnikërisë së dështuar. Historia e zemrave të mbyllura, të zemrave që nuk e lënë mëshirën e Zotit të hyjë, të zemrave që e kanë harruar fjalën ‘falje’. ‘Më fal o Zot!’. Por këta, thjesht nuk ndjehen mëkatarë, ndjehen gjykatës të të tjerëve. Histori e gjatë, shumëshekullore. E këtë pabesi, Jezusi e shpjegon me dy fjalë të qarta, për t’u dhënë fund fjalimeve të këtyre hipokritëve: ‘ Kush nuk është me mua, është kundër meje!’. Qartë! O je besnik, me zemër të hapur për Zotin, i cili tregohet besnik me ty, o je kundër Tij: ‘Kush nuk është me mua, është kundër meje!”.

Besnikëria ndaj Zotit fillon kur kuptojmë se jemi mëkatarë

A është e mundur një rrugë tjetër? A mund të ulemi në tryezën e bisedimeve me Zotin?, pyet Papa. Po, përgjigjet Ati i Shenjtë, ka një rrugëdalje e ajo është të pranosh se je mëkatar. Nëse ndodh kjo, zemra hapet e mëshira e Zotit hyn në të. Kështu, fillon t’i qëndrosh besnik:

“T’i kërkojmë Zotit hirin e besnikërisë. E hapi i parë për të ecur në rrugën e besnikërisë është ta ndjesh veten mëkatar. Nëse nuk e ndjen mëkatin, e fillon keq punën. Të lutemi për hirin që zemra të mos na ngurtësohet, që të hapet për mëshirën e Zotit. Të lutemi për hirin e besnikërisë. Të lutemi që kur ne t’i bëjmë Hyjit ndonjë pabesi, të na japë hirin për të kërkuar falje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.