2016-03-03 10:24:00

Bëhet ndërkombëtar “Click to Pray”, App-i që ndihmon lutjen me Papën


Një version i ri i platformës digjitale “Click to Pray – Kliko për t’u lutur”: kjo është nisma e Apostullimit të lutjes - rrjetit botëror të lutjes së Papës, që i është besuar jezuitëve – e cila do të paraqitet të premten në selinë e Radio Vatikanit, me rastin e takimit “24 orë për Zotin”. Kujtojmë se Ati i Shenjtë do të kryesojë kremtimin pendestar në Sheshin e Shën Pjetrit. “Click to Pray” është një App e risuar, që funksionon tashmë, për t’u lutur sipas ndjeteve mujore të Papës. Është krijuar në bashkëpunim më agjencinë La Machi, përsa i përket projektimit e pamjes grafike. Kujtojmë se që nga muaji janar, Papa Françesku ia beson ndjetet një videomesazhi të realizuar me kontributin e Qendrës Televizive të Vatikanit. Për këtë App për smartphone flet në mikrofonin tonë jezuiti, atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i Apostullimit të lutjes dhe i degës së tij, Lëvizjes Eukaristike Rinore:

Fillimisht, fjala ishte për një nismë, që u drejtohej të rinjve të Apostullimit të lutjes në Portugali. Mëse 80 mijë vetë e kanë shkarkuar këtë App. Pastaj, gjatë përgatitjes për Jubileun e Mëshirës, gjatë të cilit – siç e dimë – u kërkohet shtegtarëve të luten për ndjetet e Atit të Shenjtë, menduam ta shndërrojmë në një aplikacion ndërkombëtar për rrjetin botëror të lutjes së Papës, në mënyrë që t’i ndihmojmë shtegtarët të luten së bashku me Atin e Shenjtë për sfidat e mëdha të njerëzimit e të misionit të Kishës. Pra, fillimisht ishte për të rinjtë, tani është për të gjithë.

Si do të përdoret konkretisht nga besimtarët dhe nga përdoruesit e rrjeteve shoqërore?

Nuk është vetëm një aplikim për iPhone, Android apo Windows Phone, por është edhe për Facebook, Twitter, Youtube. Do të ketë një buletin dhe një blog. Për momentin, do të jetë në portugalisht, spanjisht, frëngjisht dhe anglisht, por po mendojmë që vitin e ardhshëm ta bëjmë edhe në italisht, falë ndihmës së Apostullimit të lutjes në Itali. E pastaj, në gjuhën kineze, indoneziane, koreane e mundësisht, edhe në gjuhë të tjera.

Do të ketë shumë gjëra. E para – thelbësorja – përfaqësohet nga ndjetet e lutjes së Papës: pra, lutja universale dhe lutja për ungjillëzimin. Do të ekzistojë mundësia për t’u lutur tri herë në ditë: në mëngjes me Jezusin, për ta predispozuar jetën në Zotin e në bashkim me gjithë Kishën; në mesditë, një lutje e vogël për t’ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt; e në fund të ditës, për të parë së bashku me Zotin sa kemi qenë të gatshëm për misionin e Krishtit. Përveç kësaj, çdo ditë, celulari na kujton orën e lutjes, që është çasti për t’u bashkuar me gjithë Kishën në lutje për sfidat e rëndësishme të nënvizuara nga Papa Françesku. Gjithashtu, ekziston mundësia për të shkruar një lutje personale për një ndjet personal: pra, mund t’u kërkojmë të tjerëve të luten me ne për shqetësimet tona. Së fundi, ekziston edhe mundësia për të pasur një drejtim shpirtëror, propozuar nga Apostullimi i lutjes, në mënyrë që t’i afrohemi Zemrës së Krishtit, duke u lutur për njerëzimin.

Për muajin mars, Papa na kërkon të lutemi për familjet në vështirësi dhe për të krishterët e diskriminuar e të persekutuar. Si funksionon App-i në këtë rast?

Çdo ditë ka tre çaste, në të cilat dërgohen tre mundësi lutjeje për këtë ndjet të veçantë, përmes një citimi biblik, përmes një ushtrimi shpirtëror për jetën, për shembull, duke menduar për familjet në vështirësi që njeh secili prej nesh. Çdo ditë hapet një dritare mbi botën.

Nisma paraqitet me rastin e kremtimit “24 orë për Zotin”. Vitin e kaluar, po me këtë rast, Papa shpalli Jubileun e Mëshirës. A e keni informuar për App-in? Si ka reaguar Ati i Shenjtë?

Ia kemi paraqitur këtë projekt me Lëvizjen Eukaristike Rinore, gjatë audiencës së gushtit, në mënyrë që ta njihte aplikacionin me të cilin të rinjtë e jo vetëm ata, mund të luten me të e të dalin nga indiferenca, duke ia hapur zemrën njerëzimit. Dukej shumë i kënaqur me këtë aplikacion, pikërisht sepse u mundëson njerëzve që duan, të luten më lehtë për problemet e botës e të Kishës. Në një rast të mëvonshëm, eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Adolfo Nicolàs, foli me Papën Françesku për këtë projekt: Papa i konfirmoi se është shumë i kënaqur me rithemelimin e rrjetit botëror të Apostullimit të Lutjes e me faktin se mund të ndihmojë lutjen në bashkim me të.

Në mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore të vitit 2016 nënvizohet se komunikimi duhet të krijojë ura ndërmjet njerëzve dhe popujve, edhe në ambientin digjital. Cili është kontributi i App-it?

 Është një App i lidhur me rrjetin botëror të lutjes, aktiv në të gjitha kontinentet: jemi të pranishëm në gati 100 vende të botës, në të gjitha kulturat, në lutje të përbashkët për misionin e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.