2016-03-02 14:43:00

Papa: Zoti ka gjithnjë mëshirë për njeriun


“Kisha nuk ka nevojë për para të ndyra, ka nevojë për njerëz, që ia hapin zemrën Mëshirës e Zotit!”. Me këtë pohim të fortë Papa Françesku e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. I kushtohej temës së “Mëshirës e të korrigjimit” katekizmi, gjatë të cilit Françesku theksoi se Zoti ka gjithnjë mëshirë për njeriun, edhe nëse ky ia kthen shpinën, e braktis, e mohon.

Mund të ndodhë që një lëmoshë, ndoshta edhe një shumë e madhe, të përdoret si një lloj çngjyrosësi, për të zbardhur ndërgjegjen e zezë, duke fituar një përmasë shpirtërore të harruar kahmot.

Jo paratë por zemrën.

Papa Françesku i theksoi fort këto fjalë, gjatë një katekizmi, që u përshkua fund e krye nga lidhja ndërmjet korrigjimit plot dashuri të Zotit e njeriut, i cili shpesh e tradhton këtë dashuri. Për t’u çjerrë maskën, pastaj, atyre që mendojnë se mund t’i ndreqin punët me Zotin duke hapur portofolin, në vend që të hapin zemrat:

“Unë mendoj për disa bamirës të Kishës, që vijnë me oferta: ‘Merre për Kishën këtë lëmoshë…’. Pa e vrarë mendjen se është fryt i gjakut të një mori njerëzish të shfrytëzuar, të keqtrajtuar, të skllavëruar përmes punës së paguar keq! E unë u them: ‘Ju lutem, merreni me vete çekun tuaj. Digjeni! Kisha nuk ka nevojë për para të ndyra, ka nevojë për njerëz, që ia hapin zemrën Mëshirës e Zotit!’”.

Nuk shpëtojnë ritet, por mëshira

Pak para këtij pohimi, Papa e dënoi rëndë këtë lloj sjelljeje, duke pohuar se rruga që të çon tek Zoti nuk është ajo e flijimeve rituale, por rruga e drejtësisë. E, më pas, edhe se riti nuk ka kurrfarë vlere  kur, në vend  që të jetë fryt i pendesës, pretendon ta zëvendësojë atë, duke e gënjyer veten se janë flijimet, ato, që të shpëtojnë, e jo mëshira e Zotit, që ta fal mëkatin.

E për ta kuptuar më mirë këtë, pohoi: kur ndokush është i sëmurë, natyrisht shkon te mjeku: e kur ndonjëri e ndjen se është mëkatar, shkon te Zoti. Por, nëse, në vend që të shkojë te mjeku, shkon tek shtrigani, sigurisht që nuk mund të shërohet. E, ndonëse e dimë mirë këtë, shpesh zgjedhim rrugë të gabuara, duke kërkuar justfikim, drejtësi, paqe, që nuk vjen nga Zoti. Atëherë Ai na kujton: “Gabuat rrugë”. E nëse kthehemi në udhën e Tij, na dhuron atë drejtësi e atë  paqe, që më kot e kërkuam në rrugët e gabuara. Paqen e vërtetë mund ta gjejmë vetëm kur e kërkojmë nga Zoti.

Mohimi i Zotit e asgjëson jetën

Problemi lind - e Françesku e përshkroi duke cituar fjalët e Izaisë Profet-  kur njeriu e thyen besën e lidhur me Zotin dhe i kundërvihet, thjesht për shkak të fodullëkut, të mendjemadhësisë, të vetëvlerësimit. Atëherë lidhja Atë-bir  këputet, madje e humbet krejtësisht natyrën e vet:

“Atje ku mohohet Zoti, atësia e Tij, nuk mund të ketë më jetë. Ekzistenca i humbet rrënjët, gjithçka duket e prishur, e asgjësuar. E megjithatë, edhe ky çast kaq i dhimbshëm bën pjesë në planin e shëlbimit. Prova është dhënë, që populli të kuptojë sa e hidhur është jeta e atij, që e braktis Zotin  e ta ndjejë si zbrazet zemra, që zgjedh rrugën e vdekjes së amshuar. Vuajtja, pasojë e pashmangshme e një vendimi vetëshkatërrues, duhet ta nxisë mëkatarin të reflektojë, të bëjë kthesë e të kërkojë falje”.

E Papa citoi përsëri fjalët e Izaisë Profet, i cili ngre zërin për të kërkuar drejtësi, duke i aktualizuar me pamjet e sotme tragjike, që i kanë të gjithë parasysh:

“Mendoj për gjithë ata refugjatë, që zbarkojnë në Evropë e nuk e dinë nga t’ia mbajnë”.

Këtë kujtoi Papa, që përfundoi me mesazhin e tij të përhershëm: “Mrekullia e faljes së Zotit fiton mbi çdo mjerim njerëzor. Zoti nuk heq kurrë dorë nga ne, ne jemi populli i tij. Edhe burri më i keq, gruaja më e keqe, populli më i keq, të gjithë janë bijtë e Tij. Ky është Zoti: nuk na mohon kurrë. Na thotë gjithnjë ‘Eja, bir!’. E kjo është mëshira e Atit tonë. Mendimi se kemi një atë të tillë na mbush me shpresë, na jep besim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.