2016-03-01 14:33:00

Gallagher në Londër: impenjim i përbashkët kundër trafikut njerëzor


Filloi në Londër, vizita zyrtare e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher. Gjatë vizitës, prelati do të ketë bisedime zyrtare me autoritetet më të larta institucionale të vendit e të Commonwealth-it. Në program, edhe një takim ekumenik me kryeipeshkvin anglikan, Justin Welby e me përfaqësuesit katolikë vendas. Për rëndësinë e kësaj vizite intervistuam vetë imzot Gallagher:

         Uroj që përmes kontakteve me qeverinë britanike e me njerëz të tjerë, si deputetët, të arrij ta bëj më konkrete atë që ndoshta, e kanë kuptuar në teori, por kanë vështirësi ta zbatojnë në praktikë. Mendoj se edhe qeveria britanike, në disa zona, praktikon të njëjtën diplomaci “të butë” si Selia e Shenjtë. Gjithashtu, rritet vetëdija se ndikimi i Selisë së Shenjtë mund të krijojë premisat në terren, në zemrat e në mendjet e njerëzve, në mënyrë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e disa problemeve dhe konflikteve më të mëdha, që përballon bota sot.

        Ka disa fusha bashkëpunimi ndërmjet qeverisë britanike e Kishës Katolike. Për shembull, nisma e njohur me emrin “Shën Marta”, kundër trafikut të njerëzve. Cilat janë fushat e tjera, ku ju shihni mundësi bashkëpunimi?

Do të takoj ministrin për Zhvillimin Ndërkombëtar e, siç dihet, përmes Karitasit dhe organizatave të tjera, Kisha Katolike ka një rrjet njerëzish, që ndihmojnë në fushën e zhvillimit. Këtu, bashkëpunimi duhet të vijojë të mbetet i njëjtë. Por, bëtë mirë që kujtuat grupin “Shën Marta”, nismë shumë e dashur për Atin e Shenjtë, të cilën e ka inkurajuar personalisht, sepse skllavëria moderne dhe trafiku i njerëzve është vërtet problem i madh sot. Është problem, që shkakton shumë konflikte, sjell degradim shoqëror së bashku me sfidat që lindin nga veprimtaria e krimit të organizuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.